Vala privatizohet nga mesi i vitit të ardhshëm

Prishtinë, 10 djetor 2007 – Privatizimi i operatorit të telefonisë mobile “Vala”, sipas menaxhmentit të PTK-së, është më se i nevojshëm dhe duhet të bëhet sa më parë që të jetë e mundur për të qenë konkurrent i barabartë në tregun e telefonisë mobile në Kosovë.

Drejtori i PTK-së në dorëheqje, Etrur Rrustemaj, thekson se “Vala” është e gatshme për t’u privatizuar dhe se Qeveria e Kosovës është vonuar në këtë drejtim. Sipas tij, vlera e këtij operatori aktualisht sillet nga 800 mijë deri në 1 miliard euro, prandaj është koha ideale për t’u shitur, kur ka arritur numrin e konsumatorëve në 860 mijë.

”Si pjesë e PTK-së, ky operator do ta ketë të vështirë që të konkurrojë në treg me operatorin e dytë të telefonisë mobile, ngase nuk është i barabartë si ndërmarrje publike kur përballet me barriera legjislative”, ka thënë Rrustemaj. “’Vala’ është gati në çdo moment të privatizohet, ngase do ta ketë
vështirë karshi konkurrencës për shkak të barrierave legjislative që ka si ndërmarrje publike”. Ai hedh poshtë pohimet se privatizimin e kompanisë e pengon
Rezoluta 1244, meqë, sipas Rrustemajt, “Vala” është themeluar në vitin 2001 dhe nuk ekzistojnë ndalesa për shitjen e saj me rezolutë.

Burime të “Kohës Ditore”, brenda PTK-së, mësojnë se arsyeja e shpejtimit të privatizimit të kësaj ndërmarrjeje është hyrja në treg e operatorit të dytë të telefonisë mobile “IpkoNet” dhe se “Vala” nuk ka kapacitet teknik të përballet me konkurrencën.

“Në rast se nuk privatizohet ‘Vala’, brenda gjashtë muajve të parë të hyrjes në treg të operatorit të dytë, do t’i bjerë vlera për 40 për qind, pasi që rreth 50 për qind e klientëve do të largohen”, pohojnë burime të “Kohës Ditore”. Bordi udhëheqës i PTK-së katër herë radhazi ka shpallur konkurs për angazhimin e një kompanie konsulente e cila do ta përgatiste “Valën” për privatizim, por që ka dështuar në përzgjedhje për shkak të numrit jo të mjaftueshëm të kompanive që kanë konkurruar në tender. Në bazë të kushteve të tenderit është dashur që të konkurrojnë së paku tri kompani, derisa në të gjitha rastet kanë konkurruar vetëm nga dy sosh, e që nuk janë plotësuar kriteret e konkursit, prandaj është dashur të shpallet konkursi përsëri.

Megjithatë, mësohet se javën e ardhshme do të zgjidhet kompania vlerësuese e cila do t’ia caktojë çmimin këtij operatori para se të shitet dhe ta bëjë të pavarur nga PTK-ja. Këshilltari që do të ofrojë këshilla për përgatitjen e privatizimit do ta fillojë punën në janar të vitit të ardhshëm dhe brenda tetë javësh duhet t’ia dorëzojë bordit raportin se çfarë hapa duhet të merren në të ardhmen me të tria subjektet “Valën”, Postën e Kosovës dhe Telefoninë fikse. Zyrtari për informim i PTK-së, Menduh Abazi, pranon se janë duke u bërë përgatitjet për angazhimin e një kompanie konsulente që do ta përcaktonte
vlerën reale të “Valës”, konkurs ky që sipas tij ka dështuar disa herë radhazi.

“Bordi udhëheqës ka aprovuar kërkesën e menaxhmentit për angazhim të një kompanie konsulente nga jashtë, e cila ka për detyrë që ta ndajë ‘Valën’ si njësi të veçantë të biznesit dhe do të tregojë se cila do të jetë vlera e saj për privatizim”, ka theksuar Abazi. Megjithëse ende nuk është shpallur ndonjë datë se kur do të hapet tenderi për privatizimin e “Valës”, zyrtarë të PTK-së bëjnë të ditur se të interesuar janë para se gjithash Telekomi austriak dhe telefonia gjermane “T-Mobile” e “Mobilkom Austria”, kompania “Vodafone” dhe shumë kompani të tjera që aktualisht janë në tregun e telefonisë në rajon.

Kreu i PTK-së, në një intervistë për “Kohën Ditore”, pati theksuar se që nga viti 2001, kur u krijua “Vala” apo “PTK-ja” në vitin 2000, deri në prill të vitit 2006 ka pasur vetëm 269 mijë konsumatorë, numër ky që tashmë është shumëfishuar dhe “Vala” numëron mbi 800 mijë konsumatorë.

Gjatë vitit 2006 deri në qershor të këtij vitit është bërë ristrukturimi i PTK-së, me ç’rast janë specifikuar departamentet dhe pikat e njerëzve se çfarë të kryejnë. Sipas tij, vetëm gjatë vitit 2006 janë larguar diku rreth 18 këshilltarë ndërkombëtarë dhe janë zëvendësuar me faktorë vendës, dhe kjo llogaritet si njëra ndër arsyet që PTK-ja i ka arritur këto rezultate.

“Më 1 prill 2006 kanë qenë 22 apo 23 këshilltarë ndërkombëtarë, që do të thotë se shumica e vendimeve prej krijimit të PTK-së janë marrë prej faktorëve ndërkombëtarë. Kjo ka filluar të ndërrohet që në fillim kur e kemi marrë PTK-në”, pati thënë Rrustemaj.

Si produkt të parë që konsumatori e ka kërkuar ka qenë lëshimi i SMS-ve internacionalë, pastaj menaxhmenti vendës gjatë një viti ka lansuar mbi 15 produkte të “Valës” dhe në telefoninë fikse, si dhe në rrjetin qendror janë shtuar mbi 300 kilometra kabllo optike.

Marrë nga Koha Ditore