Ulet akciza për alkoolet vendore

Prishtinë, 6 prill 2006 — Që nga një prilli, Shërbimi Doganor në akcizën e alkooleve dhe kafesë ka bërë disa ndryshime. Me kërkesë të Këshillit Ekonomik Fiskal , UNMIK ka nxjerrë një rregullore të re mbi akcizën e disa mallrave.

“Me këtë rregullore do të ndryshohet edhe norma e taksës se akcizës për prodhimet alkoolike. Për prodhimet alkoolike do të caktohet një normë uniforme e vetme për të gjitha produktet alkoolike, që do të jetë 3 euro për litër të alkoolit të pastër 100 për qind në temperaturë 200 gradë celsius”, tha Adriatik Stavileci, zëdhënës i Shërbimit Doganor të UNMIK.

Stavileci tha se me anë të kësaj rregulloreje do të ofrohen lehtësira tregtare përmes normave të veçanta për prodhuesit e vegjël të produkteve alkoolike, si dhe do të krijohet një metodë e përcaktimit të sasive dhe të fortësisë të produkteve alkoolike.

Me anë të kësaj rregulloreje ndryshohet aneksi “A”, lista e mallrave me akcizë të rregullores 2005/32 me aneksin “A” të kësaj rregulloreje të re.

“Kësaj rregulloreje i shtohet edhe aneksi “B”, prodhimet alkoolike të prodhuara në Kosovë të cilat u nënshtrohen normave të veçanta të taksës se akcizës për prodhuesit fillestarë dhe të vegjël dhe njëkohësisht i shtohet kësaj rregulloreje edhe aneksi “C”, sasia dhe përqindja e alkoolit”, u shpreh ai.

Ai tha se kjo rregullore do të zgjerojë listën e mallrave akcizore, siç janë kafeja, zëvendësuesit si dhe koncentratet e kafesë. Sipas tij, do të ndryshohen edhe normat e taksës së akcizës për kafe dhe zëvendësues të saj nga norma “Ad Valorem” në normën specifike si dhe pijet freskuese do të kenë normë specifike të taksës se akcizës, që do të jetë 0.045 euro për litër.

Ai gjithashtu tha se do të lirohen taksa e akcizës për vajrat teknike që nuk përdoren si karburante.

Metoda e re e përcaktimit të akcizës në alkoole

Sipas rregullores, 300 euro për një hektolitër alkooli absolute 100 për qind voltazh. Ose e thënë ndryshe, 3 euro për 1 litër të alkoolit të pastër. P.sh. nëse kemi një import të birrave në paketim prej 0.33 litrash me përmbajtje të alkoolit prej 5 për qind secila, atëherë akciza për këtë sasi do të jetë 0.15 euro cent për një litër birrë.

Nikollë Perlaska, Express