U zgjodh qeveria e re me kryeministër Agim Çekun

Prishtinë, 10 mars 2006 – Qeveria e Kosovës u miratua me shumicë votash – 65 vota pro, 33 kundër dhe një abstenim, me kryeministër Agim Çekun. Votimit të qeverisë, i cili u bë me votë të hapur, i parapriu një debat i ashpër disa orësh nga deputetët e opozitës: Dy grupe parlamentare, ai i Ora-s dhe ai për Integrim, kishin kërkuar që qeveria të zgjidhej me votim të fshehtë.

Menjëherë pas zgjedhjes kryeministër Agim Çeku, u betua para Kuvendit për besimin e dhënë se do t’i kryejë me përpikëri detyrat e marra, ndërsa që prioritet do të kenë parimet e programit qeveritar. Ai paralajmëroi se nuk do të ketë dallime, përkatësisht diskriminim në qeverisje, dhe se shteti i ardhshëm i Kosovës nuk do të jetë i lirë derisa të mos jenë të lirë të gjithë qytetarët e saj, veçanërisht pakica serbe, së cilës në një pjesë të fjalimit i është drejtuar në gjuhën serbe, ndërsa për përfaqësuesit e huaj, gjithashtu një pjesë të fjalimit e ka mbajtur në gjuhën angleze.

Ai tha se fati i qytetarit të Kosovës do të jetë në objektivin e qeverisë. Ai gjithashtu paralajmëroi kabinetin e tij ministror se nuk do të ketë vend për të papunët, përkatësisht për ata që nuk do të jenë shembuj të politikanëve të zot. Çeku premtoi se që nga dita e parë e punës së qeverisë do të punohet në përmbushjen e standardeve.

“Përmbushja e standardeve do të jetë argumenti jonë më i fortë në bisedimet për statusin e Kosovës”, tha Çeku. Ai tha se duhet të jemi unik dhe të papërçarë.
“Papunësia është shndërruar në një sëmundje kronike të shoqërisë tonë, furnizimi me rrymë vazhdon të jetë një problem i madh me gjithë investimet e mëdha që janë bërë, infrastruktura e Kosovës ende vuan nga mungesa e cilësisë, kurse arsimi dhe shëndetësia janë në një gjendje që kërkon shqyrtim serioz nga të gjithë ne. Duhet ta ruajmë dinjitetin e pensionistëve, mësimdhënësve, mjekëve, ushtarëve dhe policëve tanë”, tha ai.

Çeku u zotua se këto çështje gjatë qeverisjes së tij do të kenë vëmendje më të madhe për zgjidhjen e tij.

ECIKS / QIK