U prezantua Strategjia e Zhvillimit të Sektorit Privat

Promovimi i Agjencisë për promovimin e investimeve në Kosovë u bë në një konferencë të mbajtur në Prishtinë, në të cilën u prezantua Strategjia e Zhvillimit të Sektorit Privat, e cila është vlerësuar pozitivisht nga ministri Bujar Dugolli si dhe përkrahësit e saj nga Agjencia Evropiane për Rindërtim, USAID-i si dhe Banka Botërore.

Prishtinë, 13 shtator 2005 – “Krijimi i Agjencisë për Promovimin e Investimeve në Kosovë ishte një nga rekomandimet kyçe të strategjisë për zhvillimin e sektorit privat. Me këtë agjenci, synohet ngjallja dhe rimëkëmbja e ekonomisë kosovare, me rritje të investimeve të huaja dhe njëkohësisht shtimin e eksportit” tha me rastin e shefi ekzekutiv i kësaj agjencie, Ejup Fejza.”Tani investitorët e huaj e kanë vendin ku do t’i adresojnë çështjet me interes për ta, duke filluar nga taksat, rryma elektrike, procedurat doganore, regjistrimi dhe licencimi i bizneseve”, tha Fejza. Strategjia e zhvillimit të sektorit privat në Kosovë realizohet me përkrahjen e Agjencisë Evropiane për Rindërtim me rreth 2 milionë euro, pastaj të USAID-it, Bankës Botërore etj. Ministri Bujar Dugolli duke iu falënderuar këtyre donatorëve, u shpreh se strategjia është në interes jo vetëm të biznesit por edhe të popullit të Kosovës. “Qasja e koordinuar si një rast unik për Kosovën ka mbështetjen e plotë të donatorëve kryesorë. Kjo strategji është e orientuar në mënyrë të fuqishme drejt inkurajimit të eksportit dhe investimeve të huaja të drejtpërdrejta dhe ministria tashmë ka krijuar agjencinë për promovimin e investimeve dhe si rezultat, donatorët tashmë janë zotuar se do ta mbështesin agjencinë”, tha ministri Dugolli. Rekomandimet tjera të strategjisë për zhvillimin e sektorit privat, janë edhe krijimi i zonës së tregtisë së lirë dhe inkubatorët, puna intensive me një rreth të ngushtë të kompanive me kapacitet dhe ambicie, përmirësimi i mundësive financiare për bizneset e sektorit privat etj.

ECIKS / RTKLive