U prezantua masterplani bujqësor për Kosovën

Prishtinë, 16 nëntor 2005 – Ministria e Bujqësisë organizoi sot seminarin “Çështja e integrimit të Kosovës në strategjinë e Bashkimit Evropian për zhvillim rural 2007- 2013″, ku u prezantua progresi i arritur në zhvillimin e masterplanit bujqësor për Kosovën. Masterplani është financuar nga Agjencia Evropiane për Rindërtim.

“AER-i gjatë këtyre viteve në lëmin e bujqësisë ka investuar rreth 83 milionë euro përmes projekteve të ndryshme dhe edhe ky projekt është në vazhdë të investimeve dhe ndihmës së AER-it në sektorin bujqësisë që ka filluar në vitet 1998-2000 dhe që ka 5 faza”, tha Qazim Kukalaj, sekretar permanent i Ministrisë së Bujqësisë. Kukalaj tha se nga propozim-projektet e bëra nga ana e tyre dhe konsultantëve të AER-it për vitin e ardhshëm presin një investim prej rreth 8 milionë që kryesisht do të jetë i përqendruar në zhvillimin rural dhe ndërtim institucional. Ndërkaq, Ros Bull, udhëheqës i projektit tha se qëllim i këtij projekti 2 vjeçar është që të forcojë kapacitetin institucional të Ministrisë së Bujqësisë për të zhvilluar dhe zbatuar makro-politikën, politikën tregtare dhe politikën e nënsektorëve bujqësor. Shqipe Dema, koordinatore për projekte në Ministrinë e Bujqësisë tha se sektori i zhvillimi rural është mjaft i rëndësishëm sepse mundëson reduktimin e kostos së prodhimit. Kjo është arsyeja që sipas saj ky projekt për vitin 2006 do të përqendrohet në zhvillim të këtij sektori.

ECIKS / RTK