Besim Beqaj – kryetar i ri i Odës Ekonomike

Prishtinë, 18 nëntor 2005 – Kuvendi i Odës Ekonomike të Kosovës zgjodhi sot Besim Beqajn kryetar të ri me mandat 4 vjeçar. Me këtë rast, Beqaj u zotua se do të punojë me një vizion dhe qasje të re për zhvillimin e biznesit në Kosovë. Ai u zotua gjithashtu se do të heqë dorë nga të gjitha aktivitetet politike, me qëllim që të krijohet një unitet i përgjithshëm në mes të biznesit kosovar.

Anëtarët e Kuvendit të OEK votuan me vota të fshehta dhe Beqaj u zgjodh me vetëm një votë më shumë se kundër kandidati Mustafë Ibrahimi. Me këtë rast, Besim Beqaj, tha se parimi bazë është se OEK do të kalojë konform strategjisë nëpër një proces të një ristrukturimi total, jo duke larguar njerëz nga puna, por duke iu krijuar atyre mundësi për trajnime, për edukim dhe sjellje konform kërkesave të cilat neve na paraqiten.

Kuvendi i OEK-së për nënkryetar të OEK-ut rizgjodhi Zeneta Dacin, ndërsa sekretar i përgjithshëm do të jetë Ejup Qerimi. Kuvendi zgjodhi edhe 21 anëtarë të Këshillit Drejtues si dhe miratoi statutin e ri të Odës Ekonomike të Kosovës.

ECIKS / RTK