U miratua shpalla e Valës së 19-të të privatizimit

Bordi i AKM-së, ka miratuar shpalljen e Valës së 19-të privatizimit. Kjo është vala më e madhe që AKM-ja ka tenderuar deri më tani, duke përfshirë 32 ndërmarrje shoqërore, të cilat do të transferohen në 46 ndërmarrje të reja . Njëra prej tyre, NBI “Suhareka”, do të privatizohet me Spin-off special

Prishtinë, 22 shtator 2006 – Ushtruesi i detyrës së ZPSSP-së, Paul Acda theksoi se u bënë diskutime shumë të frytshme dhe u morën vendime në një numër të çështjeve të rëndësishme.

“Dua ta shfrytëzoj rastin që ta falënderoj Bordin për mbështetjen e tij, gjersa po vazhdoj të njihem më mirë me çështjet me të cilat duhet të merret AKM-ja”, tha Acda .

Bordi i AKM-së ka ratifikuar rreth 25 kontrata nga valët e mëparshme të privatizimit, që do të nënshkruhen tani dhe do t’iu dorëzohen pronarëve të rinj. Shpallja formale e kësaj vale të privatizimit do bëhet brenda dy javëve të ardhshme.

Paul Acda e morri postin ushtrues detyre Zëvendëspërfaqësues Special i Sekretarit të Përgjithshëm në kohën kur Joackim Rueker u zgjodh nga Sekretari i Përgjithshëm që të shërbejë si PSSP-ja i ardhshëm.

Zëvendëskryetari Bordit, Bujar Dugolli, ministër i Tregtisë dhe Industrisë, theksoi se, “ Kjo ishte edhe një tjetër mbledhje produktive për Bordin e AKM-së. Në veçanti, jam i kënaqur me volumin e Valës së 19-të, dhe po ashtu me progresin që kemi bërë në lidhje me shpejtimin e procesit të likuidimit”.

Bordi i AKM-së, përveç shpalljes së valës së 19-të, u morr edhe me një numër çështjesh tjera. Ilir Salihu, zëvendësdrejtor menaxhues për Divizionin e Ndërmarrjeve Publike në AKM, ia paraqiti më të rejat Bordit të AKM-së për një kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD), kredi për përmirësime kapitale në aeroport, dhe po ashtu në partneritetin strategjik midis PTK-së dhe kompanisë së madhe të telekomunikacionit, “Cable and Wireless”.

Ahmet Shala, zëvendësdrejtor menaxhues për Divizionin e Ndërmarrjeve Shoqërore në AKM dhe Kirk Adams, drejtor i Departamentit të Privatizimit, njoftuan Bordin e Drejtorëve të AKM-së me të rejat në lidhje me gjendjen e tanishme sa i përket privatizimit të Hotelit Grand.
Për momentin, AKM-ja po pret një përgjigje nga Oda e Veçantë e Gjykatës Supreme të Kosovës. Ata gjithashtu informuan Bordin e AKM-së për progresin që është duke u bërë për rivitalizimin e Trepçës, dhe po ashtu për tenderin e mundshëm të Sharr-prodhimit në Dragash.

Bordi i AKM-së ratifikoi rreth 25 kontrata nga valët e mëparshme të privatizimit, që do të nënshkruhen tani dhe do t’u dorëzohen pronarëve të rinj. Ky bord diskutoi disa masa ligjore, të cilat do ta fuqizojnë e ta përshpejtojë procesin e likuidimit.

Data e saktë e ofertimit si dhe NSH-të që do të përfshihen në Valën e 19-të do të bëhen publike me rastin e shpalljes formale të kësaj Vale nga AKM-ja. Konform rregullave në fuqi shpallja do bëhet brenda dy javëve të ardhshme, pasi që NSH-të në fjalë dhe komunat përkatëse të lajmërohen me shkrim, thuhet në një kumtesë për media të lëshuar nga AKM-ja.

AKM: Privatizimi i kompleksit turistik “Brezovica”- pas definimit të statusit

Pos tjerash, Bordi i Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit më kërkesë të përfaqësuesve të pushtetit lokal të Shtërpcës dhe pa pëlqimin e anëtarëve vendor të bordit vendosi që procesin e privatizimit të kompleksit turistik “Brezovica” ta shtyjë deri pas definimit të statusit politik të vendit.

Këtë qëndrim të Bordit të AKM-së, e bëri publik shefi i ri i Shtyllës IV të UNMIK-ut, Paul Acda, i cili pohoi se pro shtyrjes së procesit të privatizimit të këtij kompleksi janë edhe përfaqësuesit e pushtetit lokal të Shtërpcës.

ECIKS / RTK