Kosova bëhet me bankë qendrore

Autoriteti Bankar i Kosovës, me anë të rregullores së re të nënshkruar nga kryeadministratori Ruecker, tashmë është Bankë Qendrore. Fjalën kryesore tani do ta kenë vendorët, ndërsa BQKsë do t’i rritet edhe autoriteti.

Prishtinë, 21 shtator 2006 — Shefi i administratës ndërkombëtar në vend (UNMIK), Joachim Ruecker, të mërkurën ka nënshkruar rregulloren e re përmes të cilës Autoriteti Bankar dhe i Pagesave të Kosovës (BPK) shndërrohet në Autoritetin Qendror Bankar të Kosovës.

Kjo gjë u bë e ditur të mërkurën gjatë konferencës se rregullt të UNMIK-ut më gazetarë, ku u tha se nxjerrja e rregullores së re është bërë me qëllim që të rritet autoriteti institucional i BPK-së sa i përket mbikëqyrjes, rregullimit dhe licencimit të institucioneve financiare në Kosovë, në të cilën kategoritë kryesore janë bankat dhe kompanitë e sigurimeve.

Me transformimin e BPK-së në BQK, parashihet që Bordi i BQK-së të përbëhet nga 7 anëtarë, prej tyre 5 do të jenë vendorë, ndërsa 2 ndërkombëtarë.

Një përfaqësues i bordit të ri do të jetë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, një nga shtylla IV e UNMIK-ut, kurse 5 përfaqësues të tjerë do të jenë nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave apo qeveria, të cilët do të zgjidhen në Parlament. Për anëtarët e rinj të bordit duhet të merret aprovimi edhe nga përfaqësuesi special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë.

Por, edhe pas shndërrimit në bankë qendrore, ky institucion nuk mund të udhëheqë politikën monetare në vend, ngase Kosova përdorë si mjet këmbimi euron, valutë kjo të cilën Kosova s’ka të drejtë ta emetojë.

Qeveria dhe UNMIK-u në muajin maj të vitit të kaluar janë pajtuar për transferimin e BPK-së në BQK dhe atëbotë është thënë se kanë mbetur vetëm formalitetet teknike, të cilat do të përfundojnë brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore.

Rregullorja e BPK-së është hartuar më 15 nëntor të vitit 1999 dhe ajo në mungesë të statusit të pazgjidhur të vendit, është deleguar që të kryejë pjesën dërmuese të punëve të një banke qendrore.

Gazeta Express