U hap panairi "Natyra 2010"

Me mbështetjen e USAID-it dhe Agjencisë për Promovimin e Investimeve, Shoqata e Përpunuesve të Drurit të Kosovës (SHPDK) ka hapur edicionin e gjashtë të Panairit të mobilierisë dhe industrisë së drurit në Kosovë “Natyra 2010”.

Në panair po marrin pjesë kompani nga Kosova, Shqipëria, Italia, Kroacia, Serbia dhe vende të tjera të BE-së.

Në panairin “Natyra 2010” ofrohen dyer, dritare, kuzhina, enterier dhe makineri për përpunuesit e drurit.

Me këtë rast ministri i Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci tha se tokat pyjore mbulojnë gati gjysmën e territorit të Kosovës dhe ky fakt e bënë Kosovën një prej vendeve më pyjore në Evropë.

Zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë, Jonuz Kastrati tha se do ta mbështesin këtë sektor në mënyrë që kompanitë kosovare dhe prodhimet e tyre të jenë konkurrente në tregjet e rajonit dhe tregun e Bashkimit Evropian.

Ai tha se në MTI janë të evidentuar mbi 1400 biznese si përpunues të drurit dhe kanë mbi 5000 punëtorë të punësuar, prandaj kapacitetet në këtë sektor gradualisht po i tejkalojnë kërkesat e konsumit vendor.

SHPDK është themeluar në vitin 2004 dhe synon promovimin e interesave të industrisë së drurit në Kosovë.