Trusti i Kursimeve Pensionale ka grumbulluar 85 milionë euro

Prishtinë, 22 shkurt 2005 – Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës, ka grumbulluar dhe menaxhon fondin e kontributeve pensionale prej 85 milionë eurosh, të cilat i ka investuar në dy institucione financiare jashtë Kosovës. Sipas drejtuesve të këtij trusti, në prill është paraparë të mbahet mbledhja e Bordit, ku pritet të vendoset për strategjinë e mëtejshme të investimeve.

Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës, i vetmi organ përgjegjës për kursimet pensionale në vendin tonë, menaxhon rreth 85 milionë euro, të cilat i ka investuar jashtë vendit. Strategjia e investimeve të fondit të Trustit të Kursimeve pensionale prej marsit të vitit 2003 ka qenë që 100 përqind të mjeteve të investohen në tregun e parave të gatshme me menaxhuesin e mjeteve ABN Emro. Ndërsa bordi udhëheqës i Trustit e ka ndryshuar strategjinë e investimeve, dhe tani rreth 70 përqind e mjeteve janë të investuara në treg të parave të gatshme dhe 30 përqind në ekuitete të indeksume, u shpreh sot në një takim joformal me gazetarë, drejtoresha e këtij trusti Arieta Koshutova. “Deri tash i kemi mbledhë më shumë 85 milionë euro të cilat i kemi në menaxhim dhe gjatë këtyre dy viteve ndryshimet apo përmirësimet që janë bërë, një pjesë e konsiderueshme e punëdhënësve raportimin e kanë përmirësuar shumë, sigurisht sepse procesi ka qenë në fillim dhe secili ka pasë nevojë për pak kohë”.Në gusht të vitit të kaluar, Trusti ka filluar me pagesën e disa prej benificioneve për ata që i kanë mbushur 65 vjet, pasi një numër i madh i kontribuesve, edhe pse nuk kanë qenë të obliguar, kanë paguar kontributet, prandaj i kanë marrë mjetet që janë grumbulluar në emër të tyre. Deri tani në Trust janë të regjistruar 135 mijë kontribues. Përgjegjëse për mbledhjen e kontributeve është Administrata tatimore e Kosovës. Mirëpo në mungesë të ligjit për kontributet pensionale, nuk mund të aplikohen as gjoba për ata që iu shmangen pagesës së kontributeve. Në trust arrijnë edhe ankesa nga ana e kontribueve, që kanë të bëjnë kryesisht me mosmarrjen e pasqyrave individuale, shprehet Koshutova.Trusti i ka shpërndarë pasqyrat individuale për kontribuesit në janar dhe gusht të vitit të kaluar, ndërsa për pasqyrat e ardhshme nuk është vendosur ende.

ECIKS / RTK