Tregu unik Kosovë – Shqipëri, projekt me leverdi

Duke u mbështetur në një kalkulim të thjeshtë, tregu i përbashkët mes dy vendeve, përveçse do të kënaqte në një masë ithtarët e bashkimit kombëtar ndërshqiptar, do të mund të shndërrohej në një terren të leverdishëm edhe për investitorët e huaj

ARBANA XHARRA E
ESMERALDA BARDHYLI

PRISHTINË, 24 SHKURT 2009 – Në kohën kur bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është zgjeruar në çdo fushë, një ide e re është duke ngacmuar vëmendjen e ekspertëve të ekonomisë nga të dyja anët e kufirit. Duke u mbështetur në një kalkulim të thjeshtë – mbledhjen e numrit të popullsisë së dy shteteve në më shumë se 7 milionë – ata vlerësojnë se tregu i përbashkët mes dy vendeve, përveçse do të kënaqte në një masë ithtarët e bashkimit kombëtar ndërshqiptar, do të mund të shndërrohej në një terren të leverdishëm edhe për investitorët e huaj.

Me një ide të tillë pajtohen edhe zyrtarët e dy qeverive, ndërsa shprehin gatishmërinë për formimin e një tregu të përbashkët ekonomik për t’u bërë më atraktiv karshi investitorëve dhe ekonomikisht më stabil karshi vendeve të rajonit. Në bisedë për gazetën, ata thonë se ideja e heqjes së barrierave doganore dhe harmonizimi i politikave fiskale do t’i forconte shumë këto dy shtete në aspektin ekonomik.

Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Financave i Kosovës, Bedri Hamza, pohon mundësinë e formimit të një tregut të përbashkët edhe pse rikujton se një projekt i tillë kërkon harmonizimin paraprak të shumë gjërave.

“Kjo ide është shumë e pranueshme”, shprehet Hamza. “Nëse s’kemi mundësi me pas një shtet të përbashkët, atëherë mund të kemi një treg të përbashkët ekonomik”. Sipas tij fillimisht duhet bërë unifikimi i politikave fiskale edhe ligjeve të tjera që kanë të bëjnë me ekonominë.

“Definitivisht tregu i përbashkët shqiptar prej shtatë milionë banorësh do të jetë shumë më atraktiv”, vlerëson njeriu i dytë i MEF-it.

Idenë për tregun “mbarëshqiptar” e konsideron të leverdishme edhe Selami Xhepa, këshilltar ekonomik i kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha. Në bisedë për gazetën, ai vlerëson se krijimi i një tregu të integruar mes dy vendeve do ta bënte më të lehtë depërtimin e tyre në tregjet rajonale dhe të Bashkimit Evropian.

“Besoj se prej dy vitesh midis Shqipërisë dhe Kosovës kemi një zonë të lirë tregtare ku qarkullimi i mallrave realizohet pa tarifa doganore, apo barrierë tarifore. Nga ana tjetër zhvillimi i projekteve të infrastrukturës së përbashkët do të krijojë kushte për lehtësimin e këtyre shkëmbimeve”, thotë Xhepa.

“Mendoj se ka mundësi për të koordinuar dhe politikat ekonomike më mirë në të ardhmen me qëllim zhvillimin në harmoni të burimeve ekonomike duke rritur ekonominë në shkallën e operacioneve ekonomike”, shton ai.

Sipas tij, të gjitha këto drejtime dhe veprime të përbashkëta do të krijojnë mundësi për krijimin e një tregu të integruar midis Shqipërisë dhe Kosovës në tregjet rajonale dhe ato të Bashkimit Evropian.

“Politikat janë të realizuara tashmë, pasi regjimi doganor është i harmonizuar dhe pa tarifa. Pjesa tjetër që lidhet me zhvillimin e rrugëve të transportit mundëson materializimin në praktikë të regjimeve të politikave të arritura, dhe në këtë mënyrë janë hedhur tashmë shinat për të realizuar atë aspiratë për zhvillimin komplementar të të dy ekonomive tona, duke sjellë një integrim të natyrshëm të tyre”, pohon Xhepa.

Ekspertët: Barrierat e vetme janë ato teknike

Për njohësit e rrethanave ekonomike, ideja e krijimit të një tregu të përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë, cilësohet si hap drejt realizimit të koncepteve evropiane. Nënkryetari i institutit për hulumtime zhvillimore “Riinvest”, Muhamet Sadiku, thotë se koncepti i tregut të përbashkët është koncept evropian, sepse edhe Evropa e ka kaluar një rrugë të gjatë për të arritur tek tregu i përbashkët.

“Kjo nënkupton eliminimin e barrierave teknike, doganore, jo doganore, harmonizimin e politikave ekonomike, atyre fiskale dhe kuptohet forcimi i lidhjeve infrastrukturore”, thotë Sadiku. Sipas tij me këtë hap Kosova dhe Shqipëria do të krijonin një hapësirë joshëse për investitorë të jashtëm. “Po ashtu do të krijohej lëvizje e fuqisë punëtore dhe e kapitalit brenda këtyre dy vendeve dhe në këtë mënyrë do të forcohej pozita tregtare e dy vendeve në raport me vendet e tjera”, thotë ai.

Megjithatë, ai tërheq vërejtjen se procesi i harmonizimit të politikave zakonisht është i gjatë dhe se për një gjë të tillë, duhet të bëhen analiza paraprake. “Të dyja vendeve u mbetet punë e madhe për të bërë përshtatjen e legjislacionin ekonomik dhe të kontribuohet për tregun e përbashkët”, vlerëson Sadiku.

Kryetari i Iniciativës Ekonomike për Kosovë në Vjenë, (ECIKS), Kujtim Dobruna, vlerëson se një treg i përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë tashmë ekziston në kuadër të marrëveshjes CEFTA, mirëpo, sipas tij, “afrimi i mëtejshëm ekonomik në mes të dy vendeve do të bëhej më së miri përmes krijimit të një unioni ekonomik Kosovë -Shqipëri”.

Duke pohuar se ky union pos që në thelb është natyror, Dobruna vlerëson se ai do ndihmonte zhvillimin ekonomik të dy vendeve, sidomos “duke shfrytëzuar sinergjitë që dalin nga komplementariteti ekonomik”.

Ndërkohë që sipas tij parakusht për këtë është ndërtimi i autostradës Merdar-Durrës. Duke folur në cilësinë e një promovuesi të Kosovës karshi investitorëve, Dobruna pohon se shumë investitorë të huaj kanë filluar të shohin tregun shqiptar në radhë të parë si treg nacional.

“Kështu për shembull kompanitë austriake tashmë mbulojnë tregun shqiptar duke investuar njëkohësisht në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni. Tregu 7- milionësh është një balancë e mirë ndaj tregjeve më të mëdha të rajonit dhe shton atraktivitetin e të dyja vendeve për investimet e huaja”, thotë Dobruna për të shtuar se krijimi i këtij unioni në realitet do të ishte “një reagim pozitiv ndaj nevojave, kërkesave dhe strategjive të investitorëve të huaj, por në radhë të parë ndaj afaristëve vendorë”.

Ai mohon të ekzistojnë barriera që do të mund të pengonin realizimin e këtij unioni, përpos mungesës së autostradës.
“Barrierat më shumë mund të jenë të natyrës teknike dhe administrative”, thotë ai.
“Në radhë të parë kjo është çështje e vullnetit politik të të dyja vendeve”.

Sipas tij, kusht për realizimin me sukses të këtij projekti, është që ai t’u besohet ekspertëve të të dyja vendeve.

Konfindustria, pioniere e idesë së krijimit të tregut të përbashkët

Krijimi i një tregu të përbashkët Shqipëri – Kosovë tashmë konsiderohet më shumë se vetëm një ide e hedhur në tavolina biznesesh në Shqipëri. Një konfederatë e industrive, e cila përfaqëson interesat e industrive te prodhimit dhe shërbimeve në Shqipëri, (Konfindustria), pohon se ka tashmë një vit që po e materializon idenë që ky treg të mos jetë thjesht një ide, por të konkretizohet me veprime konkrete mes dy vendeve.

Gjergj Buxhuku, administrator i përgjithshëm i Konfindustrisë, thotë për gazetën se krijimi i këtij tregu do të ndihmonte pozitivisht ekonominë mes dy vendeve”.

”Industrialistët e Shqipërisë janë tepër të interesuar për krijimin e një tregu të përbashkët Shqipëri – Kosovë. Nëse nuk do të krijojmë atë që Konfindustria shqiptare e ka quajtur “tregu i hapur” atëherë i bie që pavarësia e Kosovës të kthehet thjesht në një festë folklorike. Ne duhet ta shfrytëzojmë pavarësinë e Kosovës në interes të rritjes ekonomike mes dy vendeve. Pasi sa më i madh të jetë tregu aq më shumë do të lëvizë pozitivisht ekonomia mes dy vendeve”, vlerëson Buxhuku.

Ai pohon se Konfindustria e ka hedhur prej kohësh idenë për krijimin e këtij tregu të hapur duke pasur parasysh një sërë lehtësirash që do të krijohen tani mes dy vendeve, siç është përfundimi i rrugës Durrës-Merdar dhe planet për krijimin e një tregu energjetik të përbashkët.

”Ka ardhur çasti, për të mos thënë që jemi të vonuar në ndërmarrjen e veprimeve të caktuara për ndërtimin e politikave fiskale, të ekonomisë së tregut të punës, së sistemit arsimor për të krijuar de facto tregun e përbashkët shqiptar”, thotë ai, duke pohuar se koncepti i Konfindustrisë është “Dy shtete – një treg”. “Sa më i madh të jetë tregu aq më interesant është ai për investimet e brendshme e për tërheqjen e investitorëve të huaj”.

”Në dhjetëra takime që Konfindustria ka pasur me kompani ndërkombëtare shumë të rëndësishme, të interesuara për të investuar në Evropën Juglindore, çështja e parë që këta industrialistë e shohin si pengesë ishte madhësia e kufizuar e tregut të Shqipërisë. Ndërkohë kur atyre u shpjegohet për hapat që po merren për krijimin e tregut të madh shqiptar Shqipëri – Kosovë e më pas dhe Maqedoni, për të qenë të hapur më pas edhe nëpër rajone, pra për të kaluar nga një treg 4-milionësh në Shqipëri në një treg prej 7-milionësh Shqipëri-Kosovë, interesi i tyre rritet jashtëzakonisht. Aq më shumë kur ngritja e tregut të hapur shqiptar mbështetet me ndërtimin e rrugës së Kosovës, investimet për lidhjen e sistemeve energjetike të Shqipërisë dhe Kosovës, investimet e rëndësishme në portet shqiptare, etj.”, thotë Buxhuku.

Buxhuku pohon se Konfindustria në datat 22 prill deri në 2 maj do të organizojë në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë të Shqipërisë, Panairin Ndërkombëtar të Teknologjisë e Cilësisë, ku të pranishëm do të jenë me prodhimet e shërbimet e tyre industrialistët e Shqipërisë, Kosovës dhe industrialistët shqiptarë të Maqedonisë. Gjatë ditëve të panairit, gjithashtu do të zhvillohet dhe një forum i nivelit të lartë, ku përveç vendimmarrësve politikë më të lartë të Shqipërisë do të ftohen në bashkëbisedim dhe përfaqësues të lartë të politikës së Kosovës.

“Ndërkohë që ka vazhduar me ritme të kënaqshme ndërtimi i rrugës së Kosovës, e ndërkohë që janë lidhur disa marrëveshje të rëndësishme në sektorin energjetik mes dy vendeve nuk është bërë sa duhet (nga ana e Shqipërisë), për përafrimin e politikave fiskale ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, politikave financiare, të tregut të punës, sistemit arsimor etj”, thotë Buxhuku. Sipas tij, në disa raste vendimmarrja politike e Kosovës ka qenë me e avancuar sesa ajo e Shqipërisë drejt idesë së reformave ligjore për krijimin e tregut të përbashkët, ku mund të përmendim vendimet e Ministrisë së Transporteve dhe Telekomunikacionit të Kosovës, për uljen e taksave aeroportuale që lidhin Tiranën me Prishtinën dhe veprimi për pjesëmarrjen e kompanisë “Vala” në tenderin për operatorin e katërt të telefonisë mobile në Shqipëri.

”Konfindustria do të bëjë të gjithë trysninë e duhur edhe në panair edhe në forumet përkatëse të tij, por edhe në kontakte të drejtpërdrejta me qeveritë e Shqipërisë e Kosovës që veprimet e sipërpërmendura të jenë të rregulluara me një strategji të përbashkët dhe të mos jenë vetëm si nisma vetjake të përfaqësuesve të ndryshëm qeveritarë. Kjo ide për krijimin e këtij tregu është në harmoni të plotë me frymën e procesit të integrimit të Shqipërisë, Kosovës, rajonit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian”, thotë thotë kreu iKonfindustrisë.

Koha Ditore