Thellohet deficiti tregtar

Vetëm për gjashtë muajt e parë të këtij viti, sipas ESK-së, Kosova ka importuar mallra në vlerë prej 676.7 milionë euro dhe ka eksportuar vetëm 52.3 milionë euro

Prishtinë, 30 korrik 2007 – Kosova vazhdon ta thellojë në shifra deficitin tregtar. Për gjashtë muaj të këtij viti, sipas Entit të Statistikave të Kosovës (ESK), janë importuar mallra në vlerë prej 676.7 milionë euro, ndërsa janë eksportuar vetëm 52.3 milionë euro.

Pra, importi mbulohet me eksport vetëm me 7.7 për qind, ndërsa shprehur në shifra deficiti gjashtëmujor ka arritur në 624.4 milionë euro. Importi i Kosovës gjatë vitit 2005 ishte rreth 1 miliard euro, gjatë vitit 2006 kishte arritur në 1.2 miliard euro, ndërsa tendenca për vitin 2007 tregon se vlera e përgjithshme e importit do të arrijë në afro 1.4 miliard euro.

Sipas ESK-së, të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar për muajin qershor 2007 prej 115 milionë eurosh, një rritje krahasuar me deficitin prej 99.9 milionë eurosh me qershorin e vitit 2006.

“Eksporti në muajin qershor 2007 kishte vlerën 11.6 milionë euro, ndërsa importi 126.6 milionë euro, është një rritje prej (19,8 %) për eksport dhe (15,5 %) për importin krahasuar me qershorin e vitit 2006”, thuhet në raportin e ESK-së për muajin qershor.

Partnerët kryesorë tregtarë të Kosovës vazhdojnë të jenë vendet fqinje, Serbia dhe Maqedonia. Edhe me këto dy vende Kosova ka deficit të thellë tregtar. Në muajin qershor 2007 përqindja më e madhe e eksportit ishte: Shqipëria (15,6 %), Maqedonia (13,8 %), Serbia (9,4 %), Greqia (8,3 %) etj. Ndërsa, sipas të dhënave, përqindja më e madhe e importit është nga: Serbia (14,5 %), Maqedonia (10,2 %), Gjermania (10,5 %), Greqia (7,2 %), Turqia (6,8 %), etj. Bashkimi Evropian me (43,5 %) bën pjesë në importin e vendit tonë, kurse në eksport (29,7 %).

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: (30,2 %) të eksportit e përbëjnë produktet minerale (29,3 %) metalet bazë dhe artikujt prej tyre, (11,4 %) produktet bimore, (9,3 %) makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, (5,3 %) plastikë, gomë dhe artikuj prej tyre (4,7 %) ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesor për import: (15,8 %) të importit e përbëjnë produktet minerale, (15,1 %) ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, (13,9%) makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, (9,4 %) metale bazë dhe artikuj prej tyre, (6,9 %) produkte të industrisë kimike etj.

Nga të dhënat e qershorit 2007, më së shumti kemi eksport mallrash përmes pikave kufitare: Hanit të Elezit (42,8 %), Vërmicës (10,5 %), Merdarit (6,5 %) , Mitrovicës (6,4 %) etj. Ndërsa, import më së shumti kemi përmes pikës kufitare të: Hanit të Elezit (43,2 %), Mitrovicës (15,6 %), Kullës (10,9 %), Merdarit (9,9 %) etj.

Gazeta Express