Thaçi fton investitorët për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”

Në Konferencën ndërkombëtare për investitorë të mundshëm për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, kryeministri Hashim Thaçi u garantoi investitorëve se Qeveria e Republikës së Kosovës do të ofrojë bazë të nevojshme për investime, për prodhim dhe për eksport të energjisë elektrike.

Kryeministri kosovar në fjalimin e tij drejtuar investitorëve ndërkombëtarë, tha se Kosova ka klimë të favorshme dhe të sigurt për investime, ndërsa ndërtimi i kapaciteteve të reja gjeneruese të energjisë elektrike nga linjiti, sipas tij, është jetik për zhvillimin e shpejtë dhe të qëndrueshëm të Republikës së Kosovës.

“Ne do t’i ofrojmë investitorit privat mundësinë që ai të prodhojë edhe për eksport dhe në kohën e duhur do të marrim qëndrime dhe vendime të përshtatshme, gjithnjë në konsultim me investitorin fitues, për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’”, tha kryeministri Thaçi.

Ai tha se Kosova ka bërë investime të mëdha në sistemin e transmisionit energjetik, që do t’u mundësojë investitorëve eksportimin e energjisë së prodhuar.

Për këtë projekt kryeministri tha se ka mbështetjen e Bankës Botërore e cila po ndihmon qeverinë për realizimin e projektit.

Ministrja e Energjisë dhe Minierave, Justina Pula tha është përgatitur i tërë legjislacioni në mënyrë që ky projekt të realizohet me sukses. Ajo tha se ky projekt përveç kapitalit do të sjell një Kosovë edhe një ekspertizë ndërkombëtare.

Qeveria e Kosovës synon që deri në shtator të vitit 2010 të bëhet përzgjedhja kompanisë që do të ndërtojë termocentralin e ri.

ECIKS