Subvencione qeveritare për kompanitë private

Tiranë, 19 prill 2005 – Kompanitë private shqiptare që janë në prag falimentimit do të marrin subvencione nga qeveria. Ndihma do të konsistojë në grante dhe subvencione, përjashtimin, uljen dhe diferencimin e taksave si dhe faljen e borxheve që këto biznese mund t`i kenë organeve tatimore. Gjithashtu në ligj parashikohet që shteti mund të hyjë garant për të mundësuar marrjen e kredive nga bizneset në vështirësi financiare. Kreditë parashikohen që të jenë me interesa të ulëta, në mënyrë që të krijojnë lehtësira në aktivitetin e këtyre kompanive në të ardhmen. Shteti mund t’i vijë në ndihmë një biznesi prodhues, duke blerë produktet e tij me një çmim më të lartë se në treg, duke mundësuar vazhdimin e prodhimit në një aktivitet që prodhon me humbje në një periudhë të caktuar kohe. Një praktikë e subvencionimit të kompanive private nga ana e shtetit është tashmë e njohur në të gjithë botën. Edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës njihet subvencionimi i kompanive private, të cilat kanë një rëndësi strategjike për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit. Por një strategji e tillë për të ndihmuar kompanitë private ndiqet vetëm në ato raste kur këto industri kanë një impakt të madh në zhvillimin social dhe ekonomik të vendit. Kjo është edhe nga pikat më të debatuara të ligjit për subvencionin e kompanive private. Për të përfituar në mënyrë të padrejtë nga ligji, bizneset kanë ndjekur mënyra të ndryshme abuzive, duke sjellë një rezultat të papërfillshëm për rritjen e nivelit të punësimit në vend. Kostoja e këtij projekti ka qenë disa milionë dollarë dhe përfitimet e tij nuk janë parë asnjëherë në realitet. Projektligji është prezantuar gjatë ditës së djeshme në Komisionin parlamentar të Ekonomisë, nga ana e drejtoreshës së ndihmës shtetërore në Ministrinë e Ekonomisë të Shqipërisë, Edlira Bare.

Subvencionet
Sipas nenit 4 të këtij projektligji ndalohet çdo ndihmë shtetërore që shtrembëron apo kërcënon konkurrencën, duke favorizuar një ose disa ndërmarrje në treg. Me anë të këtij projektligji synohet që të shmangen vetëm ato raste që në teorinë ekonomike rezultojnë si dështime të tregut. Por në këtë drejtim është shumë e vështirë që të operohet me efikasitet. Struktura, e cila do të marrë vendimet për të përzgjedhur këto raste që janë vlerësuar edhe si dështime të ekonomisë së tregut, është në dorë të qeverisë. Një ndërhyrje e drejtpërdrejtë e qeverisë në vendosjen e fateve të kompanive të veçantë edhe të vetë tregjeve në të cilat ato operojnë, është një detyrë e vështirë, e cila kërkon, në radhë të parë, pavarësi të madhe të këtij komisioni me 5 anëtarë. Aktualisht tregjet në vend janë shumë të paorganizuar dhe kompanitë që gjenden në prag të falimentimit dhe vështirësive të mëdha financiare hasen çdo ditë. Nga ana tjetër, ndihma shtetërore në terma afatgjatë mund të çojë në përqendrimin e një pjese të burimeve shtetërore në ndërmarrjet dhe sektorët që janë joproduktivë.

Bizneset që subvencionohen
Për të përcaktuar se kush biznes do të përfitojë nga ndihma shtetërore, projektligji parashikon ngritjen e një strukture që do të jetë në varësi të Ministrisë së Ekonomisë. Ky komision që do të shqyrtojë edhe rastet që kërkojnë që të trajtohen me anë të subvencioneve, do të kryesohet nga ministri i Ekonomisë. Komisioni përbëhet nga 5 anëtarë dhe anëtarët e tjerë emërohen nga Këshilli i Ministrave. Përveç kësaj, projektligji përcakton si ndërmarrje në vështirësi që përfiton subvencion atë aktivitet privat që nuk është i aftë që nëpërmjet burimeve të veta ose nëpërmjet fondeve që mund të përfitojë nga aksionarët dhe kreditorët, të shmangë humbjet dhe falimentin. Në këtë grup të bizneseve në vështirësi përfitojnë të gjithë sektorët, përjashto bujqësinë dhe peshkimin.

Format e ndihmës shtetërore
Grantet dhe subvencionet
Përjashtimin, uljen dhe diferencimin e taksave
Faljen e pagesave të prapambetura dhe gjobave
Faljen e borxheve dhe mbulimin e humbjeve
Garancitë mbi kreditë dhe dhënien e kredive me norma të ulëta interesi
Uljen e detyrimeve të sigurimeve shoqërore
Uljen e çmimit të produkteve të ofruara, shitjen e pronës shtetërore nën çmimin e tregut ose blerjen e produkteve me çmim më të lartë se ai i tregut
Zmadhimin e kapitalit shtetëror te ndërmarrjet ose ndryshimin e vlerës së tij në rrethana, të cilat nuk janë të pranueshme për një investitor privat që vepron në kushte ekonomike normale

ECIKS / Shekulli