PRISHTINË, 23 MAJ 2007 – Shitblerja e gjysmës së aksioneve të Bankës së Re të Kosovës (BRK) përfundimisht do të finalizohet të premten, kur edhe do të bëhet nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet kësaj banke kosovare dhe blerësit të aksioneve Bankës së re të Lubjanës.
Kështu ka konfirmuar për “Kohën Ditore”, drejtori i përgjithshëm i BRK-së, Albert Lumezi, i cili ka pranuar se të mërkurën ka qëndruar në Prishtinë një grup përfaqësuesish të Bankës së Re të Lubjanës me qëllim të arritjes së disa marrëveshjeve paraprake lidhur me shitblerjen e aksioneve të BRK-së.
“Sot do të bëhen vetëm disa paramarrëveshje interne, ndërsa nënshkrimi final i marrëveshjes do të bëhet të premten në Lubjanë”, ka thënë shkurt Albert Lumezi, drejtor i përgjithshëm i BRK-së. Banka e Re e Lubjanës do të blejë hiç më pak se 51 për qind të aksioneve të BRK-së, në vlerë prej 21 milionë eurosh. Bisedimet për shitblerjen e këtyre aksioneve kanë filluar para më shumë se një muaji, kur Lumezi pati deklaruar se “është e vërtetë se kemi filluar negociatat me BRL-në për shitjen e një pjese të aksioneve, mirëpo ky është një proces afatgjatë dhe ende nuk kemi arritur marrëveshje për përqindjen e aksioneve se sa do të shiten”.
Interesimi slloven për të dominuar në tregun bankar në Kosovë, ka dalë në sipërfaqe, qysh në kohën kur BRL-ja ka blerë edhe aksionet e bankës tjetër kosovare “Kasabank”. BRL-ja ka blerë 50.14 për qind të aksioneve të “Kasabankës”, dhe ajo madje është bërë pikërisht në kohën kur në këtë bankë pati ndërhyrë policia dhe patën filluar hetimet për shpëlarje parash lidhur me Fondin Haradinaj. Deri tani sllovenët në KSB nëpërmjet “Faktor Bankës”, kanë zotëruar 26 për qind të aksioneve dhe me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje pronësia sllovene në këtë bankë ka arritur në 76.1 për qind.
Madje, zyrtarë të KSB-së, kanë theksuar se shitja e më tepër se gjysmës së aksioneve është në të mirë të zhvillimit ekonomik të vendit. Sipas tyre, Sllovenia radhitet e para sa u përket investimeve të huaja në Kosovë, e cila për këtë vit bashkë me licencën për telefoni dhe investimin e fundit në bankën tonë llogarit rreth 200 milion euro investime.
Zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Sllovenisë, Savo Vuçiç, blerja e këtyre aksioneve do të thotë një detyrë më tepër e BQS-së, e cila së bashku me Autoritetin Qendror Bankar të Kosovës do të kontrollojnë aktivitetin e KSB-së. Ai ka thënë se para dy vitesh kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me ABQK-në, të cilin bashkëpunim do ta forcojnë edhe më tutje me shtimin e kapitalit slloven në Kosovë, gjë e cila tashmë po bëhet realitet.
Marrë nga Koha Ditore