Kompania Beer2go do të nxjerrë këto ditë në treg markën më të re të birrës që do të mbajë emrin e Skënderbeut. Kjo birrë do të dalë në shitje në Britani me rastin e 600-vjetorit të lindjes së heroit tonë kombëtar
Londër, 8 prill 2005 – Jemi mësuar që edhe kompanitë shqiptare t’i vënë të huaja emrat e markave dhe as që mund të na shkonte ndërmend që një kompani, mu në Londër, do të përdorte një figurë shqiptare për të krijuar markë birre. Kështu mësohet se tregu anglez i birrës së shpejti do të njihet me markën më të re, birra “Skenderbeg”. Një fabrikë angleze birre ka vendosur që të prodhojë një produkt që do të ketë emrin e heroit tonë kombëtar. Kjo birrë do të dalë në treg këto ditë, me rastin e 600-vjetorit të lindjes së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Një nga krerët e firmës, që do ta prodhojë birrën, ka qenë kohë më parë në Shqipëri dhe ka mbetur i mahnitur nga historia e Skënderbeut. Slogani i birrës më të re në Angli do të jetë “Një birrë e fortë, për një burrë të fortë shqiptar”. Lajmi është pohuar me anë të një komunikate për shtyp nga krerët e firmës angleze Beer2go dhe emri i birrës do të jetë “Skenderbeg”.
Birra e re
“Firma e birrës Beer2go sapo ka filluar prodhimin e markës së saj të dytë brenda gjashtë muajve. Dyqani, një nga më të rinjtë dhe më të vegjëlit në vend, po synon të tërheqë klientë dhe vizitorë nga të gjitha anët e Britanisë së Madhe”, thuhet në komunikatën zyrtare për shtyp të firmës Beer2go. Sipas komunikatës, duke u nisur nga suksesi i madh i markës së tyre të parë, Bury IPA, firma ka vendosur prodhimin e markës së saj të re. “Viti 2005 përkon me 600-vjetorin e lindjes së Skënderbeut, heroit kombëtar shqiptar që e ka mbrojtur vendin e tij nga sulmet e perandorisë otomane,” – thuhet në këtë komunikatë. Kjo birrë e re do të dalë pikërisht në përvjetorin e këtij njeriu. Sipas komunikatës, në një nga legjendat shqiptare tregohet se si Skënderbeu lidhte në brirët e dhive pishtarë dhe e sulmonte ushtritë turke gjatë natës. Turqit kujtonin se bëhej fjalë për një ushtri shumë herë më të madhe, dhe nga frika e linin fushën e betejës.
Historia e Skënderbeut
Në komunikatën e kompanisë Beer2go, në lidhje me produktin e saj më të ri, tregohet edhe historia e heroit tonë kombëtar. “Emri i plotë i Skënderbeut është Gjergj Kastrioti dhe ka lindur në qytetin e Krujës. Ai ishte djali i pushtetarit vendës dhe në atë kohë Shqipëria ishte nën perandorinë turke. Për të garantuar besnikëri ndaj Turqisë, djemtë e pushtetarëve vendës merreshin peng dhe dërgoheshin në oborrin turk. Skënderbeu ka shkëlqyer në luftërat që ka bërë dhe u bë një nga gjeneralët më të mëdhenj të Turqisë. Në vitin 1443 ai u rebelua dhe e rimori nga turqit qytetin e babait të tij, Krujën, dhe ngriti flamurin shqiptar në të. Skënderbei bashkoi princat shqiptarë nën komandën e tij dhe për 25 vjet me radhë ndaloi që Shqipëria të ripushtohej nga ushtritë turke. Ai vdiq nga shkaqe natyrale në vitin 1468.”- thuhet në komunikatën e firmës Beer2go. Kjo histori është dëgjuar dhe treguar nga një prej krerëve të firmës angleze, i cili e ka mësuar gjatë një vizite në vendin tonë. “Ginny Buchan, një prej drejtorëve tanë, është impresionuar aq shumë nga kjo histori sa e ka ndierë që për 600-vjetorin e këtij njeriu të madh t’i vinte emrin birrës. Slogani ynë do të jetë: “Një birrë e fortë, për një burrë shqiptar të fortë”. “Gëzuar ditëlindjen Skënderbe!”, thuhej në komunikatë. Birra e re do të jetë prodhim anglez me 5,5 për qind alkool, me ngjyrë të kuqërremtë dhe shumë kremoze. Ajo do të jetë një përzierje shijesh me aromë molle dhe karafili. Në përgjithësi, ajo do të ngjajë me tortat karakteriestike me mollë në Britani. Birra e re “Skënderbeg” pritet të jetë shumë e shijshme dhe e ngjashme me birrat tipike belge.
ECIKS / Biznesi