Prishtinë,3 maj 2007 — Për shkak se nuk është ratifikuar nga parlamentet e shumicës së vendeve anëtare, zyrtarizimi dhe fillimi i zbatimit të Marrëveshjes së Tregtisë se Lirë të Vendeve të Evropës Juglindore (CEFTA) është shtyrë për muajt e verës.
Vendet e rajonit, në muajin dhjetor të vitit të kaluar, në Bukuresht të Rumanisë, kanë nënshkruar marrëveshjen rajonale të Tregtisë se Lirë CEFA, e cila është dashur të hyjë në fuqi më 1 maj të këtij viti. Marrëveshjen e CEFTA-s e kanë nënshkruar Kosova, Maqedonia, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Rumania, Moldavia dhe Bullgaria. “CEFTA nuk do të fillojë së zbatuari në këtë muaj, për shkak se, përveç Kosovës, Shqipërisë dhe Malit të Zi, ende nuk është ratifikuar nga parlamentet e vendeve të tjera anëtare”, tha për KosovaLive koordinatori i Zyrës se Paktit të Stabilitetit për Kosovë, Gazmend Qorraj.
Marrëveshjen e CEFTA-s deri më tash nuk e kanë ratifikuar parlamentet e Serbisë, Bullgarisë, Rumanisë, Bosnje e Hercegovinës, Maqedonisë, Moldavisë dhe Kroacisë. Qorraj tha se ratifikimin e kësaj marrëveshjeje pritet që brenda këtyre ditëve ta bëjnë parlamentet e Maqedonisë dhe Moldavisë. “Me ratifikimin e CEFTA-s nga parlamentet e Maqedonisë dhe Moldavisë, kjo marrëveshje do të fillojë së zbatuari, pasi që për fuqizimin e saj nevojitet që së paku pesë shtete ta ratifikojnë”, tha Qorraj. Ai tha se ratifikimi dhe zyrtarizmi i plotë i CEFTA-s pritet të bëhet deri në qershor apo korrik të këtij viti.
“Prej nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje e deri më tash janë organizuar takime të shumta informuese me komunitetin e biznesit dhe me institucionet e ndryshme të Kosovës, në mënyrë që ata të informohen për detyrat dhe obligimet që i presin pas dates 1 maj”, tha Qorraj. Ai tha se inkuadrimi në CEFTA ekonomisë së Kosovës do t’i sjellë efekte pozitive, pasi që për ndërmarrjet kosovare ofrohet një treg më i madh se ai i Kosovës. Ai tha kjo marrëveshje do të ndikojë edhe në përmirësimin e bilancit tregtar të Kosovës.
“Rajoni, pjesë e të cilit është edhe Kosova, do të bëhet më atraktiv për investimet e huaja, pasi që investitorëve e mëdhenj janë më shumë të interesuar për të investuar në një treg të madh. Për këta investitorë vetëm Kosova nuk mjafton, prandaj me këtë marrëveshje edhe vendi jonë do të jetë më atraktiv për investitorët e huaj”, tha ai. Ndërkaq nga të dhënat e publikuara nga Enti Statistikor i Kosovës (ESK) vetëm gjatë muajit shkurt të këtij viti, Kosova është përballur më një deficit tregtar në shumë prej 101,9 milionë euro, që krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar tregon një rritje prej 37 milionë euro.
Sipas ESK-së, eksporti në muajin shkurt 2007 kishte vlerën 5,9 milionë euro, ndërsa importi 107,8 milionë euro, që paraqet një rritje prej 32% për qind për eksport dhe 55,8 për qind për importin, krahasuar me shkurtin e vitit 2006. Në muajin shkurt, prodhimet kosovare më së shumë janë shitur në Shqipëri më 19,1 për qind, pastaj në Serbi më 17,8; Zvicër 8,3 për qind, si dhe në Maqedoni dhe Itali më 7,9 përkatësisht 5,8 për qind.
Ndërsa, sipas të dhënave, përqindja më e madhe e importit është nga: Maqedonia më 15,1 për qind, Serbia 15 për qind, Gjermania 10,5 për qind si dhe nga Kina dhe Turqia me 6,4 përkatësisht Turqia 6,0 për qind të importit të përgjithshëm.
ECIKS / Gazeta Express