Shtrenjtohet buka

Prishtinë, 19 tetor – Prej sot çmimi i bukës do të ngrihet në 45 centë. Kështu vendosi mbrëmë Shoqata e Furrtarëve të Kosovës pas takimit të mbajtur në Prishtinë.

Furrtarët kërkuan nga Qeveria e Kosovës ndërhyrjen në importin e miellit dhe heqjen e taksave doganore, në të kundërtën ata u shprehën se çmimi i bukës do të shkojë deri në 65 centë. Kryetari i Shoqatës së Furrtarëve të Kosovës Shefki Ostërgllava ka thënë se vendimi për ngritjen e çmimit të bukës është marrë për shkak të ngritjes së çmimit të miellit në 55 cent. Ai tha se aktualisht nuk ka miell në treg. Ndryshe furrtarët theksuan se nëse Qeveria e Kosovës nuk ndërhyn shumë shpejtë në sigurimin e sasive të miellit, atëherë vendi rrezikon të mbetet pa bukë, sepse rezervat e miellit në vend mjaftojnë për vetë tre ditët e ardhshme.

Ndërkaq dje zv.shefi i UNMIK-ut, Steven Schook ka nënshkruar rregulloren për lirimin nga taksat doganore për prodhimet e grurit dhe misrit. Gjithashtu Këshilli Ekonomik Fiskal ka përkrahur muajin e kaluar propozimin e Qeverisë për lirimin për këtë çështje në përgjigje të çmimit në rritje të bukës.

Sipas Agjencisë kosovare të lajmeve Telegrafi, mullinjtë e Kosovës deri tash janë furnizuar me grurë kryesisht nga Vojvodina. Por, duke e parë mungesën, shteti serb e ka ndaluar shitjen. Furrtarët kërkojnë nga qeveria që të ndërmarrë hapa konkretë në këtë drejtim.

Ndërkohë në mbledhjen e djeshme qeveria fare nuk ka diskutuar për këtë çështje. Qeveria konsideron se ngritja e çmimit të grurit po ndodh në tërë botën dhe Kosova nuk mund t’i shpëtojë këtij trendi.

ECIKS