Shtohet konkurenca në sigurime

Prishtinë, 21 nëntor 2006 — Tregut të sigurimeve në Kosovëi është shtuar edhe një kompanisigurimesh me emrin Sigkos. Kompania e sigurimeve Sigkos është shoqëri aksionare e themeluar nga Hashim Deshishku, pronar i kompanisë Lesna dhe Milazim Zeqiraj, pronar i kompanisë MCM.

Ibrahim Kastrati, menaxher kryesor i kompanisë, ka deklaruar se kompania e sigurimeve Sigkos do të jetë aktive në tregun e sigurimeve, e cila mëton t’u ofrojë qytetarëve sigurime të llojeve të ndryshme, me qëllim që ata të mos kenë brengë të ardhmen e sigurt të tyre.

“Për klientët tanë nuk do të jemi vetëm për të na paguar ata neve, por do të bëjmë gjithçka që të sigurojmë një mbrojtje juridike dhe asistencë me këshilla për klientët, që të sigurojmë një siguri të përhershme për ta”, tha Kastrati.

Sipas tij, kompania do të jetë shtysë në tregun e sigurimeve, që bizneset dhe qytetarët të kenë një menaxhim permanent me sigurinë e tyre.

“Ne kemi kënaqësinë të fillojmë me punën tonë në ofrimin e shërbimeve dhe produkteve të cilësisë më të lartë në tregun e sigurimeve në Kosovë. Kjo është një shprehje e besimit të madh që aksionarët e kompanisë tonë kanë në të ardhmen e ekonomisë së Kosovës dhe të kompanisë së sigurimeve Sigkos. Ne shpresojmë që prania jonë në tregun e Kosovës të rrisë konkurrencën dhe cilësinë e produkteve të sigurimit”, deklaroi drejtori gjeneral i kompanisë së sigurimeve Sigkos, Ibrahim Kastrati.

Ndërsa, Milazim Zeqiraj, pronar i kompanisë MCM dhe bashkëthemelues i kompanisë së sigurimeve Sigkos, ka deklaruar se hapja edhe e një kompanie të sigurimeve do të ndikojë pozitivisht në zhvillimin ekonomik të Kosovës, gjithmonë përmes tregut të sigurimeve.

Fillim të mbarë kompanisë së sigurimeve Sigkos i ka uruar edhe drejtori i Bankës Qendrore të Kosovës, Michel Svetchine dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Lutfi Haziri.

Kërkesa e Kompanisë së Sigurimeve Sigkos sh. a. pranë Autoritetit Qendror të Bankave të Kosovës (AQBK) për licencimin e saj, është shqyrtuar dhe është miratuar në Mbledhjen e Bordit të AQBK-së, të datës 14 nëntor 2006.

Themeluesit e kompanisë së sigurimeve Sigkos janë gjithashtu themelues të Bankës KASABANK dhe aksionar kryesor të kësaj banke.

Të dy aksionarët e kompanisë së sigurimeve Sigkos janë afaristë të njohur në ekonominë e Kosovës dhe gëzojnë një emër shumë të suksesshëm në bizneset e tyre.

ECIKS / Gazeta Express