Shtetet ballkanike të bashkëpunojnë për hir të zhvillimit ekonomik

Washington, SHBA – Banka Botërore u ka bërë thirrje qeverive të Ballkanit Perëndimor që të thellojnë marrëdhëniet me Bashkimin Evropian dhe të mbështesin bashkëpunimin e ndërsjellë për hir të zhvillimit ekonomik.

Në raportin më të fundit, Banka Botërore thotë se dekada e shkuar, sidomos pesë vjetët e fundit, ka qenë periudhë relativisht e suksesshme për shtetet e Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, tani është e domosdoshme që të “rrisë dhe të mbështesë rezultatet e rritjes pozitive”, të intensifikojë betejën me varfërinë dhe të përafrohet me standardet e Bashkimit Evropian, edhe pse ambienti ndërkombëtar nuk është në fazën më të përshtatshme, thuhet në raport.

Raporti i titulluar “Integrimi i Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, çështjet në lidhje me rritjen ekonomike dhe të tregut”, thekson se Ballkani Perëndimor është një pjesë me rëndësi e Evropës Lindore dhe përbëhet nga “shumë vende të ndryshme që janë në faza të ndryshme të integrimit në Bashkimin Evropian”.

Maqedonia dhe Kroacia janë kandidate për anëtarësim në BE, sipas raportit që është publikuar fillimisht në agjencinë “Tanjug” dhe thekson se Qeveria e Zagrebit tashmë ka nisur negociatat për hyrje në Bashkim Evropian. “Procesi i stabilizimit-asociimit po ashtu pritet të nisë edhe për Kosovën, porsa të jetë definuar statusi plotësisht”, ka thënë Banka Botërore.

Aty shtohet se duhet pasur parasysh që në Ballkanin Perëndimor, relativisht të vogël, rritja e eksportit është vitale dhe theksohet rëndësia e investimeve direkte të jashtme për të shtyrë para sektorin e eksporteve. Raporti thekson si fazë më të rëndësishme për arritjen e këtyre qëllimeve “nevojën për bashkëpunim më të thellë ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që tregjet e tyre të bëhen më konkurrente”, ndërkohë që do të ndikonte në përmirësimin e cilësisë dhe uljen e kostos së industrisë së shërbimeve. Banka Botërore vë theks të veçantë në masat që duhet të ndërmerren në ekonomitë rajonale, në mënyrë që të evitohen mungesat e energjisë që mund të kenë ndikim negativ në investimet vendore dhe të huaja.

Ekspertët e Bankës Botërore theksojnë se raporti i tyre është publikuar në një moment historik për rajonin dhe shprehin shpresën e tyre se do të kontribuojë për “të kuptuar më mirë dinamikën ekonomike të Ballkanit Perëndimor” dhe do të ndihmojë që të krijohet një bazë analitike për reformat që do të përshpejtojnë integrimin përfundimtar të këtyre vendeve në Bashkimin Evropian.

Marrur nga Koha Ditore