Shtet social

Prishtinë, 1 tetor 2007 — Derisa për zhvillimin e sektorit të arsimit dhe shëndetësisë, qeveria e Kosovës ka planifikuar që deri në vitin 2010 të shpenzojë hiq me shumë se 49,5 përkatësisht 55 milionë euro, ajo për financimin e shpenzimeve sociale ka paraparë që deri në këtë vit të shpenzojë 156,3 milionë euro.

Këto të dhëna për shpenzimet qeveritare deri në vitin 2010 janë paraqitur në dokumentin e Kornizës afatmesme të shpenzimeve (KASH), e cila është përgatitur nga ekspertë të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave (MEF), USAID-it, Zyrës për çështje fiskale të UNMIK-ut dhe Bankës Botërore. Kjo kornizë, gjithashtu, para dy javësh është miratuar edhe nga Këshilli Ekonomik Fiskal (KEF).

Sipas KASH-it, prioritetet të cilat qeveria e Kosovës i ka quajtur si relevante për t’u financuar deri në vitin 2010 janë: sundimi i ligjit dhe qeverisja, energjia, arsimi, transporti, bujqësia si dhe zhvillimi i sektorit privat dhe krijimi i shërbimeve më efektive publike. Në kategorinë e shpenzimeve sociale, për të cilën janë paraparë shpenzime rreth 156 milionë, prioritet kryesor do të jetë rritja e pensionit bazë. Për këtë kategori të shpenzimeve sociale është paraparë që deri në vitin 2010 të shpenzohen 16 milionë euro.

Pjesa tjetër e buxhetit të kategorisë së shpenzimeve sociale, sipas KASH-it do të përdoret për financimin e shpenzimeve kapitale të kësaj kategorie, krijimin e teknologjisë informative për të gjitha qendrat e punës sociale, për ndihma familjeve të martirëve të luftës si dhe për financimin e programeve të reja. Ndërkaq sa i përket zhvillimit të sektorit të arsimit, qeveria e Kosovës ka paraparë që nga shuma e përgjithshme që janë ndarë për këtë sektor (49,5 milionë euro), 10.1 milionë t’i shpenzojë për ndërtimin e shkollave të reja. Pjesa e mbetur ndërkaq do të investohet në ndërtimin e konvikteve dhe sallave sportive, ndërtimin e objektit të institutit, ndërtimin e shkollës speciale në Prishtinë, si dhe për blerjen e pajisjeve laboratorike dhe librave për fëmijët e dëshmorëve. Për zhvillimin e sektorit të shëndetësisë në Kosovë, qeveria ka planifikuar që deri në vitin 2010 të shpenzojë 55 milionë euro shtesë, të cilat kryesisht do të investohen në pajisje mjekësore, në renovimin e nyejve sanitare në repartin e neurologjisë dhe repartit koronar, në hartimin dhe zbatimin e programit kombëtare për shëndetin e nënave dhe fëmijëve të porsalindur si dhe për sigurimin e cilësisë të ujit të pijes.

Gjithashtu në Kornizën afatmesme të shpenzimeve për tri vitet e ardhshme është paraparë edhe zhvillimi i sektorit të transportit, për të cilën fushë janë ndarë 62,1 milionë euro, zhvillimin e sektorit të bujqësisë, për të cilin deri në vitin 2010 janë paraparë të shpenzohen rreth 8.1 milionë euro si dhe sektori privat dhe ai i ujit dhe mjedisit.

ECIKS / KosovaLive