Tiranë, 8 gusht 2007 – Emigrantët shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në Greqi, llogaritet të kenë depozituar në bankat e shtetit helen rreth 2 miliardë euro. Shuma prej dy miliardë eurosh është e barabartë me rreth 30 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë. Në fakt, për vite me radhë, dërgesat e emigrantëve kanë financuar deficitin e lartë tregtar të vendit, duke mbajtur të pacenuar aftësinë paguese të ekonomisë së Shqipërisë. Në rast se vetëm kursimet e emigrantëve shqiptarë në Greqi do të injektoheshin në ekonominë tonë, atëherë Produkti i Brendshëm Bruto i vendit do të rritej me 30 për qind. Po kështu, kjo shifër është 10 herë më e lartë se investimet e huaja të drejtpërdrejta në Shqipëri. Por vitet e fundit, institucionet ndërkombëtare që monitorojnë ekonominë shqiptare, si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore kanë lëshuar alarmin se paratë që emigrantët dërgojnë pranë familjeve të tyre, do të vijnë në ulje nga viti në vit.
Sipas studimeve të bëra nga Banka Botërore, një emigrant dërgon para në vendin e tij të lindjes mesatarisht për rreth 14 vjet. Më pas, ky individ fillon të kursejë në vendin ku ka emigruar. Gjatë vitit që kaloi, dërgesat e emigrantëve u llogaritën në rreth 1 miliard euro, duke përbërë afro 1/7 e Produktit të Brendshëm Bruto. Ne Itali dhe Greqi jetojnë mbi 800 mijë shqiptarë. Megjithatë, në Greqi figurojnë të siguruar dhe që derdhin kontribute vetëm 400 mijë të tillë, ndërsa mendohet se 1/3 e emigrantëve shqiptarë në tokën helene vazhdojnë të punojnë në të zezë. Po kaq mendohet të jetë edhe në Itali.
ECIKS / Gazeta Express