Shqipëria synon të bëhet superfuqi energjie në rajon

Tiranë, SHQIPËRI – Shqipëria do të bëhet superfuqi energjie në rajon, qoftë me energji nga burimet hidrike, solare ose edhe bërthamore. Kështu ka deklaruar kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, në Forumin Ekonomik të Vjenës që është mbajtur në Tiranë për dy ditë radhazi. ”Shqipëria ka synim të bëhet superfuqi e vogël energjie në rajon. Ky është qëllimi, ajo do të përfitojë energji, do të përfitojë edhe nga eksporti i energjisë. Kjo kërkon njëfarë kohe, por do të bëhet një realitet me siguri”, u shpreh Berisha.

Kryeministri Berisha e radhiti Shqipërinë si vend me pasuri të madhe ujore. Sipas tij, në periudhën e krizës energjetike Shqipëria duhet të përdorë mbi 20 miliardë kilovat-orë nga lumenjtë e saj. “Shumë kompani të mëdha evropiane kanë projekte për kaskadat për lumenjtë tanë. Do të ndërtohen mbi 400 hidrocentrale me fuqi dhe përmasa të ndryshme”, tha Berisha. Ai shtoi se Shqipëria ka edhe resurse të pasura me naftë dhe pozitë të përshtatshme edhe për prodhim të energjisë solare.

“Nuk ka asnjë vend tjetër më të përshtatshëm se vendi im që ka një lartësi mesatare, më e larta në Evropë, 640 metra, e me një bregdet të gjatë. Jemi vendi me më shumë diell në rajon. Interesi për prodhimin e energjisë solare është duke u rritur në vendin tim”, është shprehur Berisha. Ai tha se Shqipëria është e hapur edhe për prodhim të energjisë bërthamore.

Në Forumin Ekonomik të Vjenë të pranishëm kanë qenë dhe koordinatori special i Paktit të Stabilitetit, Erhard Bussek, përfaqësues të forumeve të bizneseve dhe të sipërmarrjeve të mëdha austriake, përfaqësues të Dhomave të Tregtisë së të dy vendeve, përfaqësues të ambasadave në Tiranë dhe ministra të kabinetit qeveritar. Koordinatori Busek e ka vlerësuar pozitivisht zhvillimin ekonomik të Shqipërisë duke thënë se Shqipëria është duke u zhvilluar në drejtimin e duhur. Kreu i Qeverisë ka favorizuar edhe liberalizimin e sektorit të energjisë në vend. “Çmimet e energjisë në Shqipëri janë të larta”, ka thënë Berisha. Ai kujtoi se Shqipëria është një vend që posedon një potencial të madh turistik për t’u përdorur. “Janë 400 kilometra të mrekullueshëm, panoramikë, pra një bregdet i jashtëzakonshëm”. Kryeministri shqiptar po ashtu u lavdërua për pasuritë minerare të Shqipërisë.

”Jemi një nga vendet më të pasura në botë me krom. Kemi qenë dikur në vend të tretë ose të katërt. Nëse përpara 3 vjetësh një ton krom kushtonte 70 dollarë, tani është 480 dollarë në treg. Por, jemi edhe më të pasur me bakër dhe nikel”, tha Berisha.

Forumi Ekonomik i Vjenës përveç problemeve të rajonit pati edhe një diskutim mbi problemet me të cilat është hasur ekonomia paskomuniste në Shqipëri. Inflacioni në vend ka një rritje prej 6 për qind, mirëpo edhe eksportet në këtë vend janë duke u rritur çdo ditë, sikurse edhe investimet e huaja. ”Një vit më parë patëm 57 për qind më shumë se sa në vitin më përpara. Nga viti 2006, investimet janë rritur 3 herë, krahasuar me mesataren e 3 vjetëve të fundit”, tha Berisha.

Koha Ditore