Shqipëria ndanë edhe 33 mil. USD për rrugën Durrës-Kukës

Tiranë, 14 dhjetor 2006 – Kur kanë mbetur edhe 20 ditë nga fundit i vitit qeveria shqiptare ka vendosur që në fondin e vitit 2006 të ndajë edhe 33 milionë dollarë për autostradën Durrës- Kukës. Kjo shumë është ndarë nga fondi prej 55 milionë dollarësh, të cilën qeveria shqiptare e ka paraqitur si shumë të kursyer nga ky vit. Pjesa tjetër e mjeteve do t’i ndahet Korporatës Energjetike Shqipttare (KESH) për zbutjen e krizës energjetike dhe Ministrisë së Punëve Publike. “Ndryshimet për buxhetin e shtetit për vitin 2006, do të bëhen me akte-normative,” thuhet në shkresën e qeverisë. Këtë plan qeveria ia ka parashtruar edhe Kuvendit të Shqipërisë.

Kjo është kundërshtuar nga deputetët socialistë të Komisionit për Ekonominë dhe Financat, të cilët kanë hedhur dyshime mbi kursimin e shumës 55 milion dollarë, përdorimin e saj dhe mënyrën me të cilën qeveria po kërkon përdorimin e saj. Sipas tyre për aksin rrugor të autostradës Durrës- Kukës, Rrëshen- Kalimash vazhdojnë të jepen fonde pa pasur ende një projekt-zbatimi dhe kjo është një shkelje e hapur. Socialistët nuk kanë kundërshtuar rëndësinë e këtij aksi rrugor, por kanë konstatuar se nuk ka transparencë në lidhje me dhënien e fondeve. “Janë dhënë 50 milion dollarë dhe ju do të jepni përsëri 30 milion dollarë.

Nuk e kuptoj, si mund të jepni fonde kaq të mëdha në këtë mënyrë? Kërkoj që kontrata me “Bechtel” të bëhet publike”,- tha deputeti Erjon Braçe.

Express / ECIKS