Shqipëri: Rritet prodhimi i çelikut dhe çimentos

Tiranë, 17 Nëntor 2003 – Prodhimi i çelikut në Shqipëri ka një rritje prej rreth 1.2 për qind gjatë 9-mujorit të parë të vitit 2003, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kryesisht ky prodhim realizohet nga kompania turke “Kurum” në repartet e saj në ish kombinatin metalurgjik të Elbasanit. Duke patur parasysh se, çeliku i prodhuar në vend, sipas specialistëve, është i një cilësie që mund të përdoret për ndërtimin e objekteve, jo shumë të larta (deri ne 5-6 kate), rritja e nevojave për konsum çeliku, për ndërtime në lartësi, vazhdon të plotësohet nga importi. Treguesit eksport-import të çimentos flasin për rritje të sektorit të prodhimit të çimentos në vend, por dhe nga importi, fakt që tregon për zhvillim të sektorit të ndërtimit. Kështu, konstatohet rritje e importit të saj me rreth 10.1% dhe rritje e eksportit me rreth 95.3%, për 8-mujorin 2003, që është edhe një tregues i mirë i rritjes së prodhimit vendas, në kushtet kur në të njejtën kohë, sektori i ndërtimit është një sektor që pasqyron rritje.

ECIKS / KORRIERI