Shqipëri: MTL me Serbinë, vështirësi për biznesin vendas

Tiranë, 25 shkurt 2004 – Marrëveshja e tregtisë së lirë me Serbinë dhe Malin e Zi pritet që të sjellë vështirësi në operimin në treg të bizneseve vendase. Edhe pse një gjë e tillë pritet të sjellë një reduktim të tarifave doganore nga ana e vendeve përkatëse, efektet që do të japin në ekonominë shqiptare duket se nuk janë shumë të favorshme. Marrëveshjet e tregtisë së lirë me Serbinë dhe Malin e Zi janë diskutuar dje në mbledhjen e radhës të komisionit të ekonomisë.

Sipas anëtarëve të këtij komisioni, një nga produktet e pakta për të cilat vendi ynë mund të ketë avantazh, është vaji i ullirit, pasi ky produkt prodhohet në sasira të pakta nga këto dy vende.

Në kuadrin e procesit të globalizimit të ekonomisë dhe atij të integrimit evropian marrëveshjet e tregtisë së lirë me vendet e rajonit janë edhe hapat fillestarë që duhen të ndërmerren nga vendet e rajonit tonë. Shqipëria ka nënshkruar marrëveshje të tregtisë së lirë me disa vende të rajonit tonë, një prej të cilave është edhe marrëveshja me Malin e Zi dhe me Serbinë, që është nënshkruar në dhjetor të vitit 2003. Sot kjo marrëveshje është paraqitur për shqyrtim para komisionit parlamentar të ekonomisë. Rezultatet e arritura nga nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje për vitin 2003 u paraqitën para komisionit parlamentar të ekonomisë dhe financave nga Ilir Kodra, specialist në Ministrinë e Ekonomisë. “Gjatë vitit 2003 importi nga Serbia dhe Mali i Zi ka qenë rreth 8.3 milionë dollarë, ndërsa eksporti ka qenë në shifrën e 3 milionë dollarëve. Lista e mallrave të importuara kryesisht përbëhet nga mallra agroushqimore, ku peshën kryesore të këtyre mallrave e zë birra, gruri, dhe vaji i lulediellit”, – tha Kodra.

Në kuadrin e kësaj marrëveshjeje masat e marra nga qeveria shqiptare në drejtim të liberalizimit të tarifave të mallrave industriale që importohen nga këto dy vënde u vlerësuan si të ngadalta. Nga ana tjetër qëveritë e këtyre vendeve kanë liberalizuar tarifat për mallrat industriale.

Përfaqësuesi i Ministrisë së Ekonomisë Kodra tha gjithashtu se gjatë negocimit të marrëveshjeve me këto dy vende janë marrë parasysh edhe sugjerimet e bëra nga pala e biznesmenëve shqiptarë.

Marrëveshjet e tregtisë së lirë dhe ndikimi i tyre në bilancin tregtar
Shqipëria prej vitesh vuan nga një bilanc tregtar negativ. Megjithëse ekonomia ka pësuar një gjallërim në disa sektorë prodhues duke rritur prodhimin dhe plotësuar një pjesë të nevojave të konsumit, raporti import-eksport ka ardhur duke u rritur. Edhe bilanci tregtar me Serbinë dhe Malin e Zi paraqet gjithashtu të njëjtën prirje si edhe bilanci i përgjithshëm i ekonomisë shqiptare. “Ne importojmë nga këto dy vende 3 herë më shumë se eksportojmë”, – u shpreh Kodra.

Pyetjes se sa pritet që të jetë ndikimi i kësaj marrëveshje në bilancin tregtar me këto dy vende Kodra iu përgjigj: “Duke parë përmasat më të fuqishme që kanë ekonomitë e këtyre dy vendeve, nuk mund të jemi shumë optimistë në këtë drejtim. Një rezultat pozitiv për vitin e ardhshëm do të ishte ngushtimi i hendekut të bilancit tregtar. Synimi për të ulur diferencën që ekziston midis importeve dhe eksporteve kërkon një rritje në produktivitetin prodhues”, – tha ai.

ECIKS / Biznesi