Shpallen fituesit e rrethit të V-të të privatizimit

Prishtinë, 14 korrik 2005 – Tetëdhjetenjë ofertues u paraqitën për blerjen e ndërmarrjeve të rrethit të pestë të privatizimit. Zyrtarët e UNMIK-ut, AKM-së dhe qeverisë së Kosovës u zotuan se do të punojnë bashkërisht që privatizimin ta përmbyllin me sukses. Nga 14 ndërmarrje shoqërore sa janë në këtë rreth, do të krijohen 28 ndërmarrje të reja, që do të privatizohen sipas metodës së spin-offit të rregullt. Sipas rregullave të tenderit, fituesit e përkohshëm do të kenë mundësi të rrisin ofertat e tyre në rrethin e dytë që zhvillohet pasdite. Oferta më e lartë ishte për ndërmarrjen “Farmed” në Prishtinë, 2.4 milionë euro. Kjo ndërmarrje u ritenderua, pasi blerësi i mëparshëm nuk i përmbushi rregullat e parapara me tender.

Privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore do të vazhdojë me dinamikë më të shpejtë dhe për ta përmbyllur me sukses do të punojnë bashkërisht zyrtarët vendorë dhe ata ndërkombëtarë. Kështu u tha në ceremoninë e hapjes së ofertave të rrethit të pestë të tenderëve. Zëvendëskryeadministratori Larry Rossin tha se dinamizmi i procesit duhet t’i inkurajojë investitorët të marrin pjesë aktive në të. Drejtori i AKM-së Jasper Dick, inkurajoi investitorët që të investojnë duke premtuar se privatizimi do të kryhet sipas parashikimeve të shefit të shtyllës së katërt të UNMIK-ut, dhe çdo muaj do të shpallen tenderë të rinj të ndërmarrjeve.

Sipas politikave operuese të AKM-së mbi privatizimin, procedura e ofertimit u zhvillua në dy rrathë. Për 14 ndërmarrje, prej të cilave do të krijohen 28 ndërmarrje të reja, në rrethin e parë u paraqitën 81 oferta. Në rrethin e dytë hynë në garë vetëm nga tre oferta për një ndërmarrje. Për ndërmarrjet për të cilat është paraqitur vetëm një blerës, do të vendosë bordi i drejtorëve të AKM-së.

ECIKS / Radio Kosova