Shpallen 7 fituesit e Kalimash-Morinë

Çota: Disa kompani janë skualifikuar për shkak të mosplotësimit të kritereve ligjore nga ana e tyre

Florian Papadhimitri

Tiranë, 30 qershor 2006 – Gjashtë kompani apo bashkime vendëse dhe një kompani e huaj janë shpallur dje pasdite [më 27.06.06] fituese për të ndërtuar 7 lotet e pjesës rrugore Kalimash-Morinë. Pas një pune rreth katërjavore, dje janë shpallur kompanitë të cilat do të ndërtojnë dhe një ndër pjesët më të vështira të Durrës-Kukës.
Ndër fituesit është shpallur dhe një kompani maqedonase e cila do të ndërtojë një lot ku përfshihen vetëm dy viadukte. Ndërtimi i këtyre veprave ka sjellë si fitues kompaninë Graniti, e cila duket se ka qenë ndër të vetmet konkurruese në ndërtimin e viadukteve, kjo nga vetë vështirësia që ato paraqesin. Dje, pas shpalljes së rezultateve, nëndrejtori i përgjithshëm i rrugëve, Skënder Çota, i cili është edhe kryetari i njërit prej komisioneve të vlerësimit të ofertave, ka konfirmuara fituesit për “Shekullin”. I pyetur për procedurat dhe vështirësitë e punës në këtë komision, ai ka bërë të ditur se volumi i madh i ofrueseve solli shtyrjen e shpalljes së fituesve përtej afatit dyjavor që parashikohet.

Procedurat dhe fituesit
Fillimisht Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka bërë kontrollin e rregullsisë ligjore të dokumentacionit të paraqitur në garë. Sipas Çotës, janë kontrolluar rregullsia e të gjitha kritereve që përcakton ligji dhe më pas është bërë përzgjedhje e fituesve sipas ofertës më të ulët. “Kriteret me të cilat duhet të konkurronin kompanitë në tenderët e 7 loteve i kanë marrë dhe ato kanë qenë të qarta. Fillimisht, si procedurë, duhet që firmat konkurruese të jenë konform ligjeve të përcaktuara dhe kritereve, më pas shikohet oferta më e ulët që dhe ajo klasifikohet si fituese. Oferta më e ulët është dhe kushti kryesor për shpalljen e fituesit”, – tha dje Skënder Çota. I pyetur për numrin e subjekteve të skualifikuara, ai nuk ka dhënë një numër të saktë, por tha se ka pasur të tilla. “Ka pasur kompani që janë skualifikuar, kjo ka ndodhur për shkak të mosplotësimit të kritereve ligjore nga ana e tyre dhe kosmisioni ka vendosur skualifikimin e tyre”, – shpjegoi Skënder Çota. Ai bëri të ditur se parregullsitë që kanë skualifikuar subjektet kanë qenë të llojeve të ndryshme.

Ankesat
I pyetur për raste ankesash nga ana e subjekteve të skualifikuara, Çota shpjegoi se pritet të ketë të tilla dhe në këtë rast gjithçka do të funksionojë sipas ligjit. Ankesat nga subjektet pranohen brenda pesë ditëve nga shpallja e rezultateve dhe më pas komisioni shqyrton ankesën. “Komisioni i rivlerëson ankesat, dhe brenda pesë ditëve nga shpallja zyrtare e rezultateve priten ankesa nga subjektet që kanë konkurruar ose pretendojnë për t’u riparë në ofertat që janë bërë. Më pas ligji nuk lejon pranim të ankesave. Për sa i përket përgjigjes, ajo varet nga puna dhe koha që kërkon. Ligji përcakton 90 ditë afat për kthim të përgjigjes, por nuk mendoj se përgjigjet do të shtyhen kaq gjatë”, – tha dje për “Shekullin” Skënder Çota.

Procedurat
Punimet në këtë segment pritet të fillojnë menjëherë pas mbarimit të tenderit, në muajt qershor, korrik dhe gusht të këtij viti. Kontratat do të lidhen për një kohëzgjatje prej 18 muajsh nga data e fillimit të punimeve. Segmenti prej rreth 30 kilometrash është parashikuar të ndahet në 8 lote. Vlera totale e investimit të 7 loteve të para të tij arrin në rreth 57 milionë dollarë. Secili lot paraqet një vlerë investimi nën 10 milionë dollarë. Kjo ndarje ka pasur si qëllim kryesor pjesëmarrjen e firmave vendëse. Projekti do të prokurohet sipas procedurave të tenderimit të hapur ndërkombëtar. Ndërkaq, loti i tetë, projekti teknik i të cilit do të jetë gati në fund të qershorit, do të tenderohet në vazhdim.

Statusi i tenderëve për korridorin Durrës–Kukës–Morinë

Segmenti Pjesa Gjatësia Vlera
Kalimash – Kukës Loti 1 2,70 km 700 milionë lekë
Kalimash – Kukës Loti 2 2,70 km 850 milionë lekë
Kukës – Morinë Loti 1 Vepra arti 850 milionë lekë
Kukës – Morinë Loti 2 Dy viadukte 940 milionë lekë
Kukës – Morinë Loti 3 5,85 km 700 milionë lekë
Kukës – Morinë Loti 4 5,00 km 850 milionë lekë
Kukës – Morinë Loti 5 5,85 km 815 milionë lekë
Kalimash – Kukës Loti 3 5,60 km ~ 1 miliard lekë

Fituesit e 7 loteve
Loti 1 veprat e mëdha, Granit 842 538 556
Loti 2 Kalimash Kukës, joint vencher, Arifaj & Kastrati, 626 521 000
Loti 4 Kukës Morinë, km 5,85 deri 10.85 Geci sh.pk, 888 739 450
Loti 5 Kukës Morinë, km 10.85-16.85 ANK 710 422 738
Loti 1 Kalimash Kukës, Gjoka Konstruksion & Fusha,
Loti 2 Kukës Morinë ka vetëm 2 viadukte, Granit
Loti 3 Kukës Morinë, Viktoria Invest

*Shumat janë në mijë lekë

Kalimash-Morinë, fituesit e tenderave, të dyshimtë

Ndryshe nga sa pritej, nën debate të shumta është shoqëruar shpallja e fituesve të tenderit për segmentin më të rëndësishëm rrugor që do të ndërtohet brenda këtyre dy viteve. Kështu, dje, gjatë shpalljes së shtatë fituesve të shtatë loteve në segmentin tërësish të ri, Kalimash-Morinë, shumë prej përfaqësuesve të kompanive ndërtuese kanë ngelur të habitur kur kanë dëgjuar emrat e fituesve. Shumë prej tyre kanë nisur të debatojnë në sallën ku ndodhej Komisioni i Vlerësimit të Ofertave me anëtarët e këtij komisioni dhe me fituesit. Shumë prej përfaqësuesve të kompanive të cilat nuk u kualifikuan për të marrë pjesë në ndërtimin e 7 loteve rrugore, janë shprehur të pakënaqur me mënyrën sesi janë bërë vlerësimet. Nga të dhënat e kompanive fituese, ata kanë marrë shkas për kundërshtime, pasi krahasimet tregonin që mund të kishte oferta të tjera më të ulëta sesa ato fituese.
Një prej përfaqësuesve të një subjekti që nuk u shpall fitues, shprehet se ka pasur kualifikime të padrejta në pjesëmarrjen në tender.

Gabimet
“Përzgjedhja e fituesve është bërë nën një mungesë transparence, pasi jemi informuar vetëm në fund me emrat e fituesve dhe nuk jemi informuar për procedurat që janë ndjekur për përzgjedhjen. Për më tepër nuk kemi marrë informacion për arsyet e skualifikimit të shumë subjekteve”, – thotë një prej përfaqësuesve të një subjekti ndërtues. Sipas debateve dhe bisedave që janë zhvilluar dje mes përfaqësuesve të kompanive ndërtuese, pothuajse në çdo tender janë skualifikuar ofertat e ulëta, dhe ky skualifikim është bërë në fazën e parë, në atë të përcaktimit të rregullsisë në dokumentacionin e paraqitur. Subjektet që kanë paraqitur oferta më të ulëta sesa ato fituese, janë skualifikuar gjatë shqyrtimit të dokumentacionit të paraqitur, të cilat mund të kenë pasur parregullsi. Tenderi për shtatë lotet e Kalimash-Morinë, pjesë e Durrës-Kukës, është hapur në fund të muajit maj dhe shpallja e rezolutave pritej të shpallej pas dy javëve që nga hapja e tenderit, çka nuk ndodhi. Sipas drejtuesve të dy komisioneve vlerësuese të ofertave, volumi i madh i punës, për shkak të ofertave të shumta, ka sjellë shpalljen me vonesë të fitueseve, rreth katër javë që nga hapja e tenderit.

Shekulli