Shiten Grandi, Iliria dhe Birraria e Pejës

Hotelin “Grand” e bleu pronari i hipermarketit “MAXI” dhe ai i firmës “Markus”, Gazmend Abrashi në bashkinvestime me firmën nga Ohri “Metropol”, për 10.7 milionë euro, 20.2 milionë euro investime dhe punësim të 800 punëtorëve. Abrashi ka blerë edhe hotel “Ilirinë”

Arbana Xharra

Prishtinë, 22 shkurt 2006 – Ekrem Lluka i la të gjithë “gojëhapur” të mërkurën duke ofruar 11.1 milionë euro për blerjen e “Birrarisë së Pejës”.
Lluka në rrethin e dytë dhe të fundit për shitjen e kësaj fabrike premtoi se do të investojë 15.2 milionë euro dhe se do të punësojë 612 punëtorë.

Në rrethin e dytë të shitjes, tregoi se nuk ka qenë i gatshëm të heqë dorë lehtë nga birraria në vendlindjen e tij, duke ngritur çmimin për 7.6 milionë euro më shumë se në rrethin e parë të ofertimit.

Vëllai i tij, Agim Lluka, nuk përmbahej nga gëzimi në ceremoninë e hapjes së ofertave të dyta për privatizimin për 6 ndërmarrje të mëdha. Të zhgënjyer nga salla e UNMIK-ut, ku edhe mbahej kjo ceremoni, dolën përfaqësuesit e “Birra Tirana”, të cilët në rrethin e parë ofruan më së shumti para, ndërsa në momentin e fundit dolën të dytët me çmimin e ofruar prej 8.6 milionë euro. Tiranasit ofruan shumë të njëjtë të investimeve dhe numrin e të punësuarve të njëjtë me ofertuesin më të lartë.

“Jam shumë i gëzuar që bashkë me menaxhmentin ia dolëm ta blejmë birrarinë”, tha Agim Lluka.

Në këtë ceremoni u shit edhe hoteli “Grand”, për të cilin ofertuesi i fshehur pas shifrës P93 ofroi 10.7 milionë euro, 20.2 milionë euro investime të garantuara dhe punësimin e 800 punëtorëve. Kjo ofertë i ka çuditur të pranishmit në ceremoni, pasi që ky ofertues në rrethin e parë ishte i dyti për nga çmimi blerës me 5.1 milionë dhe vetëm 15 milionë euro investime të garantuara.

Burime të KD-së bëjnë të ditur se pas ofertës fituese qëndron Gazmend Abrashi, pronari i hipermarketit “MAXI” dhe i firmës “Markus” në bashkinvestime me firmën maqedonase nga Ohri “Metropol”. “Pronari i “MAXI”-t nuk e ka lënë me kaq, sepse ai e ka blerë edhe hotelin “Iliria” për 1.6 milionë euro, investime të garantuara 3 milionë dhe punësimin e 250 punëtorëve”, ka bërë të ditur burimi i KD-së.

Behxhet Pacolli me kompaninë e tij “Mabtex” si dhe Remzi Ejupi i kompanisë ajrore “Kosova Airlines” nuk ofruan para të mjaftueshme për të blerë hotelin “Iliria”.

Gurthyesi blen vreshtarinë

Në këtë rreth të privatizimit është shitur edhe Vreshtaria e Rahavecit për 5.5 milionë euro, me investime të garantuara prej 5 milionë eurosh dhe punësimin e 250 punëtorëve me ofertuesin i fshehur pas shifrës P51. Pas kësaj shifre qëndron kompania gurthyese shqiptaro-amerikane “Hard rock crouching”.

Edhe çmimi për Fabrikën e Vajit në Ferizaj është rritur për 350 mijë euro në krahasim më rrethin e parë të ofertimit. Blerësi në rrethin e parë ka ofruar 101 mijë euro për çmimin blerës dhe punësimin e 169 punëtorëve, kurse në rrethin e dytë, të mërkurën, ka ofruar 460 mijë me zotim të njëjtë për punësimin e punëtorëve.
Dy minierat e tenderuara në këtë tender, ajo e Goleshit dhe Strezovcit, kishin nga një ofertues me çmime shumë të ulëta.

Për minierën e Goleshit u dhanë 100 mijë euro, 136 mijë investime të garantuara dhe punësimi i 10 punëtorëve, kurse për Strezovcin çmimi blerës ishte 50 mijë euro, investime 25 mijë euro dhe punësim të 10 punëtorëve.

Stop marrëveshjeve mes ofertuesve

Zyrtarë të Bordit të AKM-së bënë të ditur se më nuk do të lejohet që në rast se tërhiqet ofertuesi i parë të mos i jepet tenderi ofertuesit të dytë tjetër. “Ne mbledhjen e ardhshme të Bordit të AKM-së, më 3 mars, pika e parë e rendit të ditës është që të kërkohet të ndryshohen politikat operacionale, në rast se fituesi tërhiqet të humbë avancin prej rreth 700 mijë eurove dhe të mos i jepet rasti ofertuesit të dytë por të anulohet tenderi”, bëri të ditur kreu i BSPK-së Bahri Shabani dhe nënkryetari i Bordit të AKM-së ministri Bujar Dugolli. Ky hap po ndërmerret për shkak se është vërtetuar se shpeshherë një person është futur në garë me dy oferta.
(Burimi: Koha Ditore, 23 shkurt 2005)