Serbia fiton n`kurriz të Kosovës

Prishtinë, 19 tetor 2007 (Express) – Drejtues të Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë të Kosovës kanë deklaruar se Operatori i Sistemit dhe Transmisionit të Serbisë, që nga viti 2004, ka përfituar rreth 5.4 milionë euro në emër të transitit të energjisë, i cili kalon nëpër sistemin energjetik të Kosovës. Kjo për shkak se po thirret si pronar i aseteve të operatorit kosovar. Këto të dhëna, drejtues të KOSTT-it i bënë gjatë një konference me gazetarë, ku theksuan se përfitimet nga eksploatimi i sistemit energjetik të Kosovës, operatori serb i ka bërë vetëm gjatë periudhës korrik 2004 deri në qershor 2007, ndonëse deri në qershor të vitit 2004 ky operator kishte paguar për transitin e energjisë elektrike në Kosovë.

Drejtori menaxhues i KOSTT-it, Fadil Ismajli, tha se sipas operatorit serb, KOSTT-i nuk duhet të kompensohet për transitin e energjisë, pasi sipas zyrtarëve të operatorit serb, përgjegjës për një gjë të tillë janë ata.

“Që nga korriku i vitit 2004 e deri më tani, Serbia përfiton 2 milionë euro në vit nga transiti i energjisë elektrike në Kosovë. Edhe 2 milionë euro të tjera në vit i përfiton padrejtësisht nga alokimi i kapaciteteve interkonektive të KOSTT-it. Ndërsa nga ngritja e çmimit të importit të energjisë, dëmi që i shkaktohet Kosovës supozohet të jetë shumë i madh”, tha Ismajli.

Kosova është nënshkruese e Traktatit për Komunitetin e Energjisë, me çka është bërë anëtare e barabartë në tregun rajonal të energjisë dhe si rrjedhojë edhe ka filluar zbatimin e obligimeve që dalin nga Komuniteti i Energjisë. Ndërkaq, KOSTT-i është anëtar i Trupit Punues të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Evropës Juglindore (SETSO TF), mekanizëm ky në kuadër të së cilit veprojnë grupe punuese teknike si: Menaxhimi i Kongjestionit, Mekanizmi Balancues, Mekanizmi për Kompensim të Transitit.

Gazeta Express

This website uses cookies to improve its performance and the relations with its audience. For more information on data protection see our Privacy Policy.