Sektori privat, “ilaç” për bashkëpunimin zhvillimor?

Bashkëpunimi për zhvillim mund të japë një kontribut të rëndësishëm për barazinë e shanseve, ka theksuar ministri austriak i punëve të jashtme, Sebastian Kurz duke marrë pjesë në Konferencën e organizuar nga Austrian Development Agency, në Vjenë

Sektori privat krijon rreth 90 për qind të vendeve të punës në vendet në zhvillim dhe në këtë mënyrë është një partner i rëndësishëm në luftë kundër varfërisë. Por, a mjafton të forcojmë sektorin privat për të arritur zhvillimin e qëndrueshëm të një vendi? Në lidhje me këtë çështje kanë diskutuar të martën në MuseumsQuartier të Vjenës ekspertë të ekonomisë dhe të zhvillimit, të ftuar nga Austrian Development Agency (Agjencia Austriake për Bashkëpunim Zhvillimor – ADA).

“Ne kemi mësuar që synimet zhvillimore arrihen në mënyrë të qëndrueshme para së gjithash atje ku bashkëveprojnë ekonomia dhe zhvillimi”, ka theksuar Martin Ledolter, drejtor menaxhues i Austrian Development Agency (ADA) në fjalën e tij të përshëndetjes. Është e kuptueshme se sektori privat nuk është ilaç për çdo gjë, ka thënë ai. “Ai është pjesë e problemeve dhe pjesë e zgjidhjeve” është shprehur Ledolter. Por, vetëm një sektor privat që funksionon mirë mund të sigurojë më shumë vende të punës dhe më cilësore.

Arsimimi profesional përmirëson perspektivat për të ardhmen

“Për mua është shumë i rëndësishëm fakti se arsimimi i të rinjve në vendet tona partnere po përmirësohet” ka theksuar ministri i jashtëm Sebastian Kurz në fjalimin e tij të hapjes. “Së bashku me qeveritë dhe partnerët tjerë në vendet përkatëse ne kujdesemi që të rinjtë të fitojnë shanse më të mira në tregun e punës dhe kështu të kenë një perspektivë pozitive për të ardhmen.”

Bashkëpunimi zhvillimor mund të sigurojë këtu një kontribut të rëndësishëm për më shumë barazi shansesh, ka shtuar ministri. “Ekspertiza e Austrisë në arsimimin profesional është e njohur dhe e kërkuar në gjithë botën. E inkorporuar në sistemet arsimore të vendeve përkatëse, ndihma zhvillimore austriake kontribuon si një model trajnimi në vendet si Moldavia, Shqipëria ose Meksika, që krahas teorisë përfshin edhe praktikën. Nga kjo përfitojnë kompanitë austriake që prodhojnë jashtë vendit por në veçanti përfitojnë njerëzit në vendet e përmendura”, ka sqaruar më tutje ministri i jashtëm, Sebastian Kurz.

Të mobilizohen resurset në Kosovë

“Përmes kooperimit dhe bashkëpunimit zhvillimor me sektorin privat mobilizohen resurse të reja. Kjo mund të vihet re fare mirë në shembullin e Kosovës: këtu gjejnë shprehjen e tyre kapitali plotësues, kompetenca dhe dituria”, ka theksuar Kujtim Dobruna, kryetar i Nismës Ekonomike për Kosovën (ECIKS). Bashkëpunimi Zhvillimor Austriak (ADA) mbështet shtetin e vogël ballkanik prej vitesh në ndërtimin dhe zgjerimin e arsimimit të lartë dhe profesional por edhe në fushat si shteti i të drejtës, dhe zhvillimi rural dhe ai i sektorit privat.

Zhvillimi i sektorit privat: Njeriu në qendër të vëmendjes

Zhvillimi i sektorit provat është vendimtar për sukseset e mëtejme zhvillimore, ka nënvizuar Helmut Asche, ekspert i zhvillimit dhe profesor universitar i politikës, ekonomisë dhe shoqërisë në Afrikë. “Komuniteti i donatorëve ka lënë këtu një boshllëk të madh dhe deri më sot nuk ka vendosur nëse në vendet partnere duhet të mbështesë apo të pengojë zhvillimin e industrisë”, ka thënë Asche me ton kritik.

“Sektori privat duhet të kuptojë se prodhimi nuk është e tëra”, ka tërhequr vërejtjen Monika Kemperle nga Federata e Sindikatave IndustriALL Global Union. Nevojitet përgjegjësi për prodhuesit dhe për të ardhurat me të cilat njerëzit financojnë jetën e tyre.

“Ka gjithsesi shembuj pozitivë për atë se si mund të kontribuojë sektori privat për kushte më të mira pune”, ka thënë Kemperle. “Marrëveshja për mbrojtje nga zjarri për industrinë e veshmbathjes në Bangladesh ka pasur një ndikim real në raportin vend pune-siguri. Pjesëmarrja e përfaqësuesve të punëmarrësve ka një rol thelbësor këtu”, ka thënë ekspertja.

Dobruna: Detyrë e institucioneve ekonomike të krijojnë parakushtet për një zhvillim të qëndrueshëm

Ndërkaq, kryetari i ECIKS-it, Kujtim Dobruna është shprehur i kënaqur me rrjedhën e këtij debati. “Pata kënaqësinë të jem pjesë e diskutimit për nevojën e bashkërendimit të ndihmës zhvillimore ndërkombëtare me nevojat dhe potencialet e sektorit privat, në një konferencë që u organizua nga Agjencia Austriake për Zhvillim, ku mori pjesë edhe ministri i jashtëm Sebastian Kurz”, shprehet Dobruna për albinfo.ch

“Argumentova se është detyrë e institucioneve të krijojnë parakushtet për një zhvillim të qëndrueshëm e gjithëpërfshirës ekonomik duke u përqendruar në detyrat bazike të tyre, siç janë mbrojtja e pronës private, ndërtimi i një sistemi të paanshëm gjyqësor që garanton zbatimin e ligjit dhe kontratave, lehtësimi i hyrjes në treg të ndërmarrësve të rinj, eliminimi i praktikave monopolistike etj.

Gjithashtu, argumentova se reformat zhvillimore duhet të kenë parasysh lehtësimin e funksionimit të sektorit privat e jo dëmtimin e tij. Për këtë nevojitet, mes tjerash, etablimi i një dialogu te mirëfilltë publiko-privat që stimulon mendimin kritik, debatin e hapur dhe trajtimin profesional të sfidave dhe zgjidhjeve të mundshme.

Ripërsërita rekomandimin që Kosova pas krijimit të institucioneve të saja, duhet te përqendrohet në hartimin e një plani gjithëpërfshirës ekonomik, që në radhë të parë jep orientime për mënyrat e mobilizimit të potencialeve të sektorit privat”, përfundon Kujtim Dobruna, kryetar i ECIKS.

APA (OTS)&albinfo.ch