Sejdiu ne Forumin Ekonomik Islamik

Gjatë një vizite zyrtare në Malejzi, presidenti i Republikës, Fatmir Sejdiu i ka ftuar përfaqësuesit e biznesit nga vende të ndryshme të botës që të investojnë në Kosovë. Ai garantoi për lehtësi të shumanshme legjislative dhe siguri të plotë të investimeve.

Sejdiu këtë ftesë e bëri gjatë një takimi që zhvilloi me Tun Musa Hitam, kryetar i Forumit Ekonomik Islamik Botëror, me të cilin bisedoi për mundësitë e bashkëpunimit të Kosovës me vendet anëtare të këtij forumi.

Sejdiu është ftuar në Forumin Ekonomik Islamik Botëror në kryeqytetin Kuala Lumpur të Malajzisë, në të cilin po marrin pjesë liderë dhe përfaqësues të tjerë të 62 vendeve të botës.

“Kosova, sikur edhe gjithë rajoni ynë paraqet një hapësirë tërheqëse për investitorët tuaj të fuqishëm në fusha të ndryshme të ekonomisë dhe të bizneseve”, tha Sejdiu.

Ndërkaq, kryetari i Forumit Islamik Ekonomik Botëror (WIEF), Tun Musa Hitam tha se është e nevojshme të punohet sa më shpejt në vënien e kontakteve të ndërsjella ndërmjet bizneseve, në mënyrë që të shikohen fushat konkrete, në të cilat investitorët malajzias dhe të vendeve të tjera mund të investojnë në Kosovë.

Gjatë qëndrimit në Malajzi, Sejdiu është takuar me kryeministrin e Malajzisë, Najib Tun Razak dhe me personalitete të rëndësishme nga mbarë bota.

ECIKS