Sejdiu ftoi bizneset gjermane në Kosovë

Gjatë vizitës së tij zyrtare në Gjermani, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu i ftoi bizneset gjermane që të investojnë në Kosovë, duke potencuar se janë krijuar kushte të favorshme për investime.

Me ftesë të Shoqatës Ekonomike Gjermani-Kosovë, në Berlin, Sejdiu ka takuar bizneset gjermane që janë prezent në Kosovë dhe investitorë të tjerë gjermanë.

Presidenti Sejdiu tha se hyrja e Kosovës në eurozonë ka shërbyer për ruajtjen e stabilitetit ekonomik të vendit.

Presidenti theksoi se në vendin tonë janë të angazhuara, përveç shumë kompanive ndërkombëtare, edhe disa banka të rëndësishme evropiane.

Lidhur më mundësitë që ofron Kosova në të gjitha fushat, një ekspoze më të gjatë e kanë paraqitur në vijim ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala dhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Lutfi Zharku.

Ndërsa përfaqësuesit e biznesit gjerman janë interesuar në detaje për mundësitë e investimeve në fushat e rëndësishme në Kosovë, si në fushën e energjetikës, minierave, përpunimit të mbeturinave, veprimtarive prodhuese e të tjera.

Gjatë vizitës në Berlin, presidenti i Kosovës është takuar edhe me presidentin gjerman, Horst Kohler, kancelaren Angela Merkel, me kryetarin e Bundestagut, Norbert Lammert etj.
ECIKS