Ruecker: “Aeroporti i Prishtinës afër licencimit ndërkombëtar”

Prishtinë, 26 prill, 2006 – Shefi i Shtyllës IV të UNMIK-ut, Joachim Ruecker tha të hënën se Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës është në rrugë të mbarë drejt përmbushjes së kushteve të domosdoshme për marrjen e licencës ndërkombëtare, ndërkohë që i ka quajtur të pabaza konkluzionet në raportin e auditimit të publikuar nga Zyra e OKB-së për Mbikëqyrje të Brendshme të Shërbimeve (OIOS), për keqmenaxhim në këtë kompani.

Këto komente u bënë të hënën në APN, gjatë takimit ndërmjet shefit të Shtyllës IV të UNMIK-ut dhe drejtorit të përgjithshëm të ANP, James Johanson.

“Jam njoftuar me të arriturat e deritashme në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës si dhe patëm një këmbim të gjerë të pikëpamjeve lidhur me zhvillimet në Aeroport”, theksoi Joachim Ruecker.

Sipas tij, drejtori i përgjithshëm i ANP-së, James Johnson, tash e 11 javë sa ndodhet në krye të aeroportit, ka pasur disa plane, plane ambicioze, që do t’ia mundësojnë Aeroportit të Prishtinës që ta fitojë certifikimin ndërkombëtar brenda një afati të arsyeshëm kohor.

ECIKS / KosovaLive