Rritja ekonomike për 2011, 5.3 %

Qeveria e Kosovës do të mbyllë vitin 2011 me rritje ekonomike prej 5.3 %. Kështu deklaroi ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj. Ai tha se kjo rritje ekonomike nuk është e mjaftueshme, por që në një periudhë afatmesme Kosova do të arrijë rritje ekonomike 7 deri në 8 %.

“Ne do ta përfundojmë këtë vit me rritje ekonomike prej 5.3 %. Rritja ekonomike, e cila ishte projektuar nga ana jonë prej 5 %, arriti në 5.5 % nga FMN-ja dhe realitetit doli të jetë 5.3 %, pra kemi një planifikim që është mjaft konservativ, por planifikim, i cili do të bazohet në ekonominë reale dhe në zhvillimet reale në vendin tonë”, thotë Beqaj.

Bewaj thotë se do të ishte mirë që Kosova të kishte rritje ekonomike 10 %, por realiteti, në të cilin po jetohet, është ky.

Sipas Beqajt, zhvillimi ekonomik nuk bëhet me një hapje dere dhe me një mbyllje dere, por është një proces për legjislacion, proces për reforma strukturale, proces për eliminim të barrierave. Dhe, siç shprehet ai, të gjitha këto janë duke ndodhur për të krijuar parakushte për një rritje të tillë ekonomike.

Në raportin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës thuhet se zhvillimet ekonomike në 6 muajt e parë të vitit 2011 sugjerojnë se aktiviteti ekonomik në Kosovë po vazhdon të zgjerohet dhe, si rezultat, rritja reale ekonomike për vitin 2011 parashikohet të arrijë në rreth 5.0 % krahasuar me 3.9 % që ishte në vitin 2010.

/Rel/Telegrafi/