Rriten eksporti dhe importi

Prishtine – Enti i Statistikave të Kosovës (ESK) ka publikuar raportin e rregullt për treguesit në resorin ekonomik të vendit. Në këtë raport tregohet se vendi ynë është ngjitur përpjetë me përqindje në krahasim me vitet e kaluara. Si çdo segment tjetër, edhe ai i importit dhe eksportit kanë pësuar ngritje në përqindje relativisht të mëdha.

Importi gjatë vitit 2008 është ngritur për 22 për qind, krahasuar me vitin paraprak. Ndërsa eksporti është ngritur 19 për qind më shumë gjatë vitit të fundit.

Në vitin 2007 në Kosovë, është eksportuar në vlerë prej 165,1 milionë euro, ndërsa për vitin 2008 ka eksportuar rreth 195,6 milionë euro. Kjo i bie që është rritur për 31 milionë, euro apo për 19 për qind.

Raporti i Entit të Statistikave jep të dhëna se ngritja e eksportit ka ardhur kryesisht në produkte kimike, mallra të papërpunuara dhe makineri e mallra tjera të papërpunuara.

Në anën tjetër, edhe importi është rritur jashtëzakonisht shumë. Prej 1 miliard e 576 milionë sa janë importuar gjatë vitit 2007, më 2008 janë importuar gati 1 miliard e 928 milionë. Do të thotë 351 milionë euro më shumë. Përkthyer në përqindje i bie se rritja është 22 për qind në krahasim me vitin 2007. Rritja e importit, sipas ESK-së, ka ardhur kryesisht në saje të gjërave ushqimore.

Shuma më e madhe e importeve vjen prej shteti të Maqedonisë dhe vendeve evropiane. Mbulimi i importit me eksport vjet nuk ka ndryshuar shumë në krahasim me vitin 2007. Shuma ishte vetëm 10 për qind.

Gazeta Express