Reforma për ta lehtësuar bërjen biznes në Kosovë

Qeveria po planifikon që deri në vitin 2014 me masat e ndërmarra ta vërë Kosovën në mesin e 40 vendeve të para ku është më së lehti për të bërë biznes.

Për të arritur këtë synim, Qeveria e Kosovës ka planifikuar një sërë masash që do të merren në reformimin e sektorit të biznesit. Ndër reformat prioritare janë liberalizimi i ekonomisë, thjeshtësimi i procedurave administrative dhe burokratike, eliminimi i gjysmës së lejeve dhe licencave përmes sistemit të gijotinës, përmirësimin e kornizës ligjore dhe krijimin e databazës së akteve ligjore me qëllim të përmirësimit të transparencës dhe të mbrojtjes së investitorëve, zgjerimin e digjitalizimit të shërbimeve institucionale për komunitetin e biznesit, përmirësimin e kapaciteteve inspektuese dhe rritjen e formalizimit vullnetar të aktivitetit ekonomik.

Në takimin e zhvilluar me përfaqësues të shumtë vendorë dhe ndërkombëtarë, kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, ka thënë se Qeveria synon që me këtë plan të ndryshojë ambientin ekonomik në vend.

“Kjo platformë, e cila është reflektim i Programit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, fokusohet në zhvillimin e sektorit privat si motor të zhvillimit ekonomik, për një shoqëri me standard më të mirë jetësor dhe një Kosovë evropiane”, tha kryeministri në fjalimin e tij. Për periudhën 2011-2014, vizioni i zhvillimit ekonomik, sipas tij, parasheh disa synime themelore dhe ndër më i rëndësishmi ai i rritjes reale ekonomike prej 7 deri në 8 për qind dhe ulja e papunësisë, gjegjësisht ulja prej 8 deri në 10 për qind të numrit të përgjithshëm të papunësuarve të regjistruar që i bie rreth 30 mijë vende të reja pune për tri vitet e ardhshme.

Në takimin e zhvilluar me përfaqësues të shumtë vendorë dhe ndërkombëtarë, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, e cila ka marrë barrën për udhëheqjen e këtyre reformave, ka thënë se qëllimi i saj është të tërheqin investime kualitative në Kosovë në mënyrë që të krijohet punësim i frytshëm. Ajo veçoi 12 prej ligjeve që tashmë kanë hyrë në proces të modifikimit, tri prej të cilave kaluan të enjten leximin e parë në Parlament, vazhdimin me reformat e mëtejshme të legjislacionit, shkurtimin e ngarkesave administrative dhe masave të tjera të nevojshme.

“Këto përfshijnë rishikimin e normave të tatimit në pronë, thjeshtësimin e regjistrimit të bizneseve, unifikimin e të dhënave në mes të Doganës, ATK-së dhe MTI-së, zvogëlimin e ngarkesave të tjera administrative, siç është eliminimi i lejes së punës e cila është ngarkesë e panevojshme për biznesin dhe është regjistruar nga raporti i Bankës Botërore”, ka thënë Kusari-Lila.

Ministria e Tregtisë dhe e Industrisë, sipas saj, tashmë është në finalizim të projektit për hapjen e zyrave për regjistrim të biznesit në të gjitha komunat e Kosovës. “Për më tepër, përmes reformave në proces, bizneset do të mund të regjistrohen për 3 ditë, nga 23 ditë që ka qenë më herët”, ka shtuar ajo.

Ekspertja e Bankës Botërore në të bërit biznes, Dahlia Khalife, prezantoi para të pranishmëve hulumtimin për treguesit e të bërit biznes dhe sugjerimet për ndryshimet në sferat ekonomike të Kosovës. Ndërkaq ambasadori amerikan, Christopher Dell, ka shfaqur besim që ky plan do të ketë sukses. “Resurset e Kosovës janë popullata e re. Unë shpresoj se për tre vjet me punën dhe angazhimin e të gjithëve, Kosova do të jetë në mesin e 40 vendeve për të bërë biznes më lehtë”, ka thënë Dell.

Në kuadër të kësaj reforme parashihet edhe krijimi i task-forces për reformën e “Të Bërit Biznes”. Kjo reformë do t’i prezantohet Kuvendit të Republikës së Kosovës për miratim.

ECIKS / Koha