Raiffeisen Bank vazhdon me rritje

Prishtinë, 20 gusht 2007 — Totali i aseteve të Raiffeisen Bank (RZB) gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti ka shënuar rritje prej 11 për qind, rritje kjo prej 376.4 milionë euro (sa ishte në fund të vitit 2006) në 415.9 milionë euro. Sipas RZB, kreditë janë rritur prej 229.5 milionë euro (sa ishin në fund të vitit 2006) në 282.7 milionë euro ose 23 për qind më shumë. Ndërsa depozitat janë rritur për 11 për qind dhe kanë arritur në 344 milionë euro.

“Raiffeisen Bank është e përkushtuar të ndërtojë marrëdhënie afatgjata me klientët duke u ofruar atyre një gamë të gjerë të produkteve dhe shërbimeve bankare”, tha Oliver Whittle, drejtor ekzekutiv.

Gjysma e parë e vitit 2007 është karakterizuar me prezantimin e produkteve dhe shërbimeve të reja në treg kryesisht për individë. Raiffeisen Bank ishte banka e parë e cila ka sjellë në treg VISA Kredit Kartelën si dhe ka filluar të ofrojë kredi edhe për individë që e marrin pagën në kesh apo përmes bankave tjera. Raiffeisen Bank ka bërë edhe ndryshime sa i përket produkteve ekzistuese për individë. Afati i kthimit për kreditë për banim është zgjatur prej 5 në 10 vjet, ndërsa për kreditë personale prej 5 deri në 7 vjet. Klientët që kanë histori të mirë të kthimit të kredive në Raiffeisen Bank mund të marrin kredi deri në 15,000 Euro pa hipotekë. Po ashtu, pas fillimit të regjistrimit të apartamenteve të vjetra në kadastër, klientët tani mund të shfrytëzojnë kredinë hipotekare edhe për blerjen e këtyre apartamenteve. Raiffeisen Bank në Kosovë momentalisht operon rrjetin e përberë nga 34 degë dhe nëndegë të ndërlidhura drejtpërdrejt, së bashku me 50 bankomatë dhe me më shumë se 800 pika të shitjes për blerje përmes kartelave.

ECIKS / Gazeta Express