Qeveria shet blloqet e Kosovës A

Prishtinë, 11 gusht 2005 – Ministria e Energjetikës dhe Minierave paralajmëroi shitjen e Blloqeve të termocentraleve të Kosovës A, në shtator të këtij viti. Kjo parashihet në kuadër të strategjisë së re të prezantuar të enjten nga ministri i Energjetikës dhe Minierave, Et’hem Çeku, e cila mëton një menaxhimin më efektiv të burimeve ekzistuese dhe zhvillimin e burimeve të reja energjetike.

Ministri, Et’hem Çeku, tha se Qeveria ka marrë vendim për nxjerrjen në treg të blloqeve të TC Kosova A, në shtator të këtij viti. Ministri Çeku tha me këtë rast se ky do të jetë një hap shumë pozitiv në kyçjen e investitorëve të huaj në fushën e energjetikës.

Sipas ministrit Çeku, kjo strategji paraqet dokumentin më të rëndësishëm të kësaj ministrie, përmes të cilit edhe rregullatori i energjisë duhet të lëvizë përpara.

Zv/shefi i UNMIK-ut Lary Rossin, e ka vlerësuar strategjinë dhe punën e bërë nga Ministria e energjisë në hartimin e kësaj strategjie për energjinë.

Kjo, tha Rossin, do t’i ndihmojë zhvillimit ekonomik të Kosovës duke ditur se energjetika dhe minierat janë pasuritë kryesore të Kosovës.

“Studim shumë i rëndësishëm për Kosovën dhe zhvillimin ekonomik të saj. Energjetika ka qenë një prej fushave të para ku janë transferuar kompetencat. Hartimi kësaj strategjie, për një kohë kaq të shkurtë, është punë e madhe dhe themel i sigurt për zhvillimin e këtyre sektorëve”, ka theksuar zt. Rossin.

Strategjia e hartuar pritet të implementohet gjatë periudhës 10 vjeçare, ndërsa që donatorë kryesore në finalizimin e kësaj strategjie pritet të jetë Banka Botërore dhe Agjencia Evropiane për Rindërtim.

ECIKS / Radio Kosova