Qeveria mendon për privatizimin e KEK

Prishtinë, 16 janar 2008 – Qeveria e re nuk e hedh poshtë opsionin e privatizimit të Korporatës Energjetike të Kosovës. Zëvendësministri i Ministrisë për Energji dhe Miniera, Blerim Rexha, ka thënë se kjo qeveri po mbledh faktet që do t’i mundësonin gjetjen e një modeli më të mirë të privatizimit sesa ai që është propozuar gjer tani nga menaxhmenti i KEK-ut.

“Është një temë që nuk mund t’i ikim sidomos duke pasur parasysh edhe rrjedhën e ngjarjeve në fushën e energjetikës në rajon”, ka thënë Rexha. Siç është shprehur ai, KEK-u është një veturë e dëmtuar dhe Qeveria ka dy rrugëdalje: “Ta shesë atë si hekurishte ose ta riparojë dhe ta shesë në një gjendje të mirë”.

Rexha ka pohuar se Qeveria e re nuk pajtohet me shitjen e pjesëve më të mira të KEK-ut. Sipas tij, shitja e korporatës do të mund të bëhej si tërësi. “Jemi duke i mbledhur faktet për mundësinë e shitjes së borxheve apo privatizimit të distribucionit, por ende nuk ka asgjë definitive në këtë drejtim”, ka thënë Rexha.

Situata në KEK tregon që kjo ndërmarrje është shumë larg situatës së favorshme për privatizim. Sipas kërkesave që dalin nga Traktati i Athinës, Korporata Energjetike e Kosovës në kuadër të ristrukturimit të sektorit të energjisë në Evropë përkatësisht në Evropën Juglindore, është dashur të përfundojë së pari shthurjen apo inkorporimin e pastaj të shkojë drejt privatizimit të departamenteve të tij. Me shthurje përveç ndarjes së llogarive financiare departamentet e KEK-ut si ai i mihjeve, gjenerimit, dhe distribucioni do të mund të bënin edhe ndarjen e plotë të aseteve. Departamentet e KEK-ut pas inkorporimit do të ishin kontraktuese të shërbimeve mes vete. Ato jo vetëm që do të operonin me buxhet të ndarë, por secili nga departamentet do të ishte në gjendje të caktojë shpenzimet e veta të cilat shprehin koston e tyre të aprovuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë. Ideja ishte se inkorporimi do t’i shkarkonte buxhetet qeveritare nga kërkesa për të investuar në KEK dhe do t’i hapë rrugët kapitalit privat për investime. Por ndonëse shthurja e KEK është dashur të përfundojë në qershor të vitit 2007 deri më tani menaxhmenti i KEK nuk ka bërë asnjë hap në këtë drejtim. Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës, KOSTT, është njësia e parë dhe e vetme e ndarë nga KEK-u në vitin 2006.

Drejtori i kësaj kompanie pas ndarjes nga KEK-u ka deklaruar që procesi i inkorporimit ka qenë shumë i dëshiruar për KOSTT-in. “Deri tani nuk ka pasur akordim të plotë të investimeve kapitale në distribucion dhe transmision. Për shembull është investuar në nënstacionet Peja 2 dhe Vushtrria 2 para se të investohej në stacionin Pejën tre. Tani këto dy të parat nuk vihen dot në funksion pasi që mungojnë investimet në transmision”, pati thënë ai duke iu referuar kohës kur KOSTT-i ishte pjesë e KEK-ut. Tani Ismaili thotë që kjo ndërmarrje njëherë nuk ka plane për privatizim. “Së paku në planet afatshkurtra privatizimi nuk bën pjesë”, ka thënë Ismaili. Sa i përket KEK-ut, zyrtarë të kësaj ndërmarrje privatizimin e quajnë si proces që është ende në diskutim, andaj edhe nuk pranojnë të prononcohen rreth tij. Deri tani KEK ka dhënë një ide të përafërt me privatizimin që është shitja e aseteve fikse të korporatës. Në kuadër të privatizimit të aseteve joqenësore, siç i ka quajtur KEK-u këto asete në shitje janë hedhur ndërtesa e ‘Toskanës’ me rreth 4500 metra katrorë dhe 29 banesave të KEK me 2300 metra katrorë, hoteli i punëtorëve të KEK-ut në Brezovicë, 2000 hektarëve të tokës në rrethinën e Kastriotit, 700 hektarëve të tokës përreth liqenit të Batllavës, pendës dhe restorantit në Batllavë. Shitja e ‘Toskanës’ dhe pronave tjera të KEK-ut është hapi i vetëm që ka marrë në këtë drejtim menaxhmenti i KEK-ut edhe ai i pritur me reagime të ashpra nga ana e punëtorëve. Ndërkaq sa i përket shitjes së borxheve të KEK-ut, ndarjes dhe privatizimit të distribucionit nuk ka pasur asnjë iniciativë nga menaxhmenti i Korporatës. Një ide për privatizimin e KEK-ut është dhënë nga konsulentët e USAID në KEK, PA Consulting. Këta të fundit me aprovimin e Bordit të drejtorëve të KEK-ut ka hartuar strategji të re për KEK-un. Strategjia e grupit PA Consulting, e aprovuar më 7 shkurt nga Bordi drejtues i KEK-ut, parasheh shndërrimin e një KEK-ut në një kompani me asete të shpërbëra, që do të mund të tërhiqte investitorët e huaj për ta privatizuar.

ECIKS / Marrë nga Koha Ditore