Prishtinë 4 nëntor 2004 – Në mbledhjen e fundit të Këshillit Ekonomik Fiskal (KEF) ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ali Sadriu, ka propozuar ndryshimin dhe uljen e akcizës për automjetet e importuara. Sipas ministrit, ky propozim bëhet me qëllim të stimulimit të importimit të veturave të reja dhe ndalimin e importit të veturave të vjetra. Ligji synon aplikimin e normave më të ulëta tatimore apo të përafërta me vendet e rajonit me heqjen e pjesërishme të akcizës për vetura. MEF thotë se do të bëhet përkufizimi i importimit të veturave në bazë të vjetërsisë, krijimin i kushteve për zhdoganimin e veturave në Kosovë e jo në shtetet fqinje (Mal të Zi, Maqedoni, Shqipëri etj). Ndryshimet në importin e veturave kanë për qëllim edhe mbrojtjen e ambientit nga ndotja që shkaktojnë këto vetura, rritjen e sigurisë në komunikacion, mosdëmtimin e buxhetit.
Për këtë çështje është formuar një grup punues i përbër nga MEF- Departamenti i Politikave Fiskale, Shtylla e IV e UNMIK-ut dhe organet tjera kompetente.
Ky grup është duke u marrë me këtë çështje mjaft të rëndesishme. Është duke u punuar në çështjet që kanë të bëjnë me ndryshimin e rregulloreve dhe punët të tjera praktike lidhur me mënyrën e funksionimit dhe kontrollit të këtyre masave të cilat propozohen. Mendohet se këto masa të cilat do të propozohen do të hyjnë në fuqi në fillim të vitit 2005. Për çdo risi qytetarët do të jenë të informuar me kohë lidhur me këto ndryshime të këtyre masave të propozuara.
Aktualisht çdo import i veturave i nënshtrohet pageses së këtyre detyrimeve: tarifës doganore prej 10 për qind, 15 për qind TVSH, 20 për qind akcizë si dhe 500 euro akcizë lineare në bazë të rregullores së UNMIK-ut 2001/15. Gjithashtu, ekzistojnë edhe pagesa të tjera të cilat importuesit janë të obliguar t’i paguajnë për veturat e tyre të importuara. Në bazë të të dhënave nga Shërbimi Doganor, numri i tërësishëm i veturave të importuara në pesë vitet e fundit është rreth 183.501, ku dominonjnë importet e veturave të vjetra.
ECIKS / Biznesi