Qeveria kërkon detaje për suficitin

Prishtinë, 13 shkurt 2004 – Kosova është vendi i vetëm në rajon dhe në Evropë që ka tepricë të mjeteve buxhetore për shkak të politikës restriktive financiare

Ministrit të Financave Ali Sadriu i është kërkuar nga kryeministri Bajram Rexhepi, që të japë më tepër detaje në lidhje me suficitin e buxhetit të vitit të kaluar, për të cilin thuhet se është 75 milionë euro. Kryeministri kërkoi nga MEF-i ta pajisë me informacione shtesë për secilën agjenci shpenzuese, lidhur me shumën e mjeteve të shpenzuara dhe të zotuara sipas kategorive deri më 31 dhjetor të vitit të kaluar.

Ministri Sadriu paraqiti në mbledhjen e qeverisë raportin e analizave të rrjedhave ekonomike. Suficiti në buxhetin e Kosovës ishte temë debati nga shoqëria civile që nga fillimi i këtij viti, sipas të cilës janë akuzuar institucionet se po krijojnë suficit të lartë në buxhet dhe nuk po financojnë projekte me rëndësi publike. Jozyrtarisht është thënë në fillim të janarit se suficiti në buxhet do të jetë 330 milionë euro, mirëpo zyrtarët e MEF-së i kanë kundërshtuar këto pohime duke vlerësuar se shumica e këtyre mjeteve janë të destinuara për projekte kapitale të cilat janë në realizim e sipër. Kosova është vendi i vetëm në rajon dhe në Evropë që ka tepricë të mjeteve buxhetore për shkak të politikës restriktive financiare.

Kjo është rezultat i statusit të pazgjidhur politik që i ndalon Kosovës huazimet publike, të cilat eventulisht do ta mbushnin boshllëkun buxhetor. Për të sqaruar situatën aktuale, kryeministri ka kërkuar raportimin e shumës së mjeteve të shpenzuara (nga ato të garantuara) deri në ditën e raportimit, si dhe vlerën e mjeteve të kontraktuara për investime kapitale. Qeveria ka autorizuar Ministrinë e Financave që të ketë në konsiderim prioritetet e financimit të nevojave për Korporatën Energjetike të Kosovës, aeroportin, Trepçën, Trupat e Mbrojtjes së Kosovës, projektin e fshatit Hade etj. Nevojat urgjente për mjetet e suficitit sipas zyrtarëve të financave janë projektet kapitale të komunave, kryesisht në fushat e shëndetësisë, arsimit dhe transportit 21 milionë; për KEK-un dhe aeroportin 9 milionë; për invetime në KEK, Trepçë dhe aeroport 75 milionë; për nevoja të TMK-së 15 milionë euro etj.

Suficiti i buxhetit nuk mjafton për financimin e të gjitha këtyre projekteve por do të bëhet zgjidhja e prioriteteve. Zyrtarët e MEF-së përmendin një varg arsyesh për paraqitjen e suficitit, siç është pamundësia që Kosova të bëjë huazime publike dhe emetim të parasë. Një arsye tjetër për mbetjen e parave të pashfrytëzuara përmendet vonesa e nënshkrimit nga shefi i UNMIK-ut për shpenzimin e mjeteve të suficitit.
Drejtuesit e MEF-së thanë se vitin e kaluar përpilimi i buxhetit nuk është bërë nga institucionet kosovare, por nga UNMIK-u.

ECIKS / BIZNESI