Qeveria e Kosovës miratoi planin per integrime evropiane

Prishtinë, KOSOVË – Qeveria e Kosovës miratoi sot planin për integrime evropiane për periudhën 2008-2010. Plani parasheh veprimet që do të ndërmarrin institucionet vendore në lëmin e përafrimit të legjislacionit dhe reformave në administratë në përputhje me standardet e kërkuara të Bashkimit Evropian. Kryeministri Hashim Thaçi tha se integrimi në BE-së është prioriteti kryesor i qeverisë së Kosovës së pavarur.

Pas pavarësimit, çështje kryesore në agjendën e qeverisë së Republikës së Kosovës vlerësohet procesi i integrimit në Bashkimin Evropian. Kryeministri Hashim Thaçi tha se Brukseli mbështet plotësisht Kosovën, por shpejtësia e ecjes përpara në këtë proces varet nga angazhimet e vetë institucioneve vendore. Qeveria miratoi planin e veprimit, që parasheh aktivitetet që do të ndërmerren deri në vitin 2010. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuqi tha se dokumenti parasheh: planin e veprimit të partneritetit evropian, koncept dokumentin për përafrimin e legjislacionit. Kryeministri u shpreh i bindur se rruga e integrimit për Kosovën do të jetë më e shkurtër se sa ajo e vendeve tjera. Kjo për arsye se gjatë tranzicionit Kosova ka hartuar legjislacion në përputhje me kërkesat e legjislacionit të Unionit. Por, procesi parasheh edhe nevojën e reformave strukturore në administratë dhe të gjitha lëmit e zhvillimit të vendit. Ndryshe, qeveria miratoi sot edhe strategjinë për përmirësimin e gjendjes energjetike, që pritet të jap efektet e saj pas 9-12 muajsh. Strategjia parasheh privatizim dhe dhënie me koncesion të sektorëve të veçantë të sistemit energjetik. Qeveria gjithashtu premtoi se këtë vizion do ta paraqes edhe në Kuvendin e Kosovës. Pas debateve të shumta në opinion, qeveria sipas Thaçit, javën e ardhshme do të dorëzojë në parlament edhe programin e saj.

ECIKS / RTK