Qeveria dhe KEK-u me pikëpamje të kundërta rreth prodhimit të rrymës me gjeneratorë

Prishtinë – Ideja për prodhimin e energjisë elektrike nëpërmjet gjeneratorëve ka nxitur qëndrime kundërthënëse në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Korporatës Elektro – energjetike(KEK) sa i përket arsyeshmërisë ekonomike të prodhim të energjisë në këtë mënyrë. Zyrtarë të KEK-ut thonë se ideja e Qeverisë për prodhimin e energjisë elektrike me anë të gjeneratorëve është e parealizueshme, për shkak të kostos së lartë. Nezir Sinai, zëdhënës i KEK-ut, ka thënë se nëse një ide e tillë merret parasysh, atëherë prodhimi i vetëm një megavati të energjisë elektrike do të mund të kushtojë deri në 250 euro.

Një vlerësim i tillë është hedhur poshtë nga zëvendësministri për Energji dhe Miniera, Blerim Rexha. “Nuk mendoj se do të kushtonte aq shumë”, ka thënë Rexha. Ai ka sqaruar se Qeveria këtë zgjidhje e ka menduar për të evituar problemin e furnizimit me rrymë në kohën e pikut, kur kërkesa për energji elektrike dukshëm tejkalon ofertën. Rexha ka thënë se ministria deri të martën do të marrë detajet e sakta rreth çmimit të këtyre pajisjeve dhe kostos së prodhimit të energjisë elektrike në këtë mënyrë, dhe atëherë do të bëjë të ditura edhe detajet tjera lidhur me të.

Ideja për prodhimin e rrymës me anë të gjeneratorëve është hedhur nga Qeveria në kuadër të shqyrtimit të mundësive për rritjen e kapaciteteve ekzistuese për gjenerimin e energjisë elektrike dhe ngritjen e kapaciteteve të reja prodhuese. Për realizimin e kësaj zgjidhjeje afatshkurtër sipas zv.kryeministrit, Hajredin Kuçi, i cili njëherësh është edhe zëdhënësi i Qeverisë, kjo e fundit tashmë është në kontakt me furnizuesit rreth sigurimit të këtyre gjeneratorëve.

Ndërkaq Avni Kurshumliu, inxhinier në KEK, ka thënë se një ofertë e ngjashme është refuzuar nga kjo ndërmarrje qysh në vitin 2002, kur pas zjarrit që kishte shpërthyer në termocentralit “Kosova B”, një ofertë për furnizim me gjeneratorë KEK-ut i është bërë nga bizneset e ndryshme. “Janë disa firma private që ofrojnë shitjen apo edhe dhënien me qira të gjeneratorëve të tillë me fuqi prej një megavat orë. Por para se Qeveria të deklarohet për një zgjidhje të tillë duhet t’i ketë parasysh disa të dhëna teknike të këtyre gjeneratorëve”, ka thënë Kurshumliu. Ai ka shpjeguar se për prodhimin e një megavat ore të energjisë elektrike, një gjenerator i këtillë konsumon në minimum 150 litra naftë. Pra për prodhimin e 100 megavatëve të energjisë elektrike duhen së paku 100 gjeneratorë të tillë, të cilët do të konsumojnë rreth 15 mijë litra naftë në orë, apo 360 mijë litra naftë vetëm për një ditë të vetme. “Kostoja e prodhimit të një megavati të energjisë, sipas çmimit të tanishëm të naftës është së paku 150 euro, pa e llogaritur këtu çmimin e pajisjeve, apo qiranë e tyre. Ndryshe, një stacion i tillë i gjeneratorëve për instalim kërkon një sipërfaqe prej disa hektarëve dhe mundësisht duhet të ndërtohet pranë ndonjë naftësjellësi, ose për ndryshe 36 cisterna duhet të qarkullojnë për çdo ditë për furnizim me naftë të këtyre gjeneratorëve, nëse llogarisim se 100 megavat orë të energjisë janë të mjaftueshme”, ka thënë Kurshumliu.

Megjithatë sa i përket furnizimit me rrymë, zyrtarë të KEK-ut pas reduktimeve të gjata që gjatë vikendit kanë lënë në terr pjesën më të madhe të qytetarëve, dhe që është zgjidhur pjesërisht me hyrjen në punë të blloqeve A3 dhe A4 të termocentralit “Kosova A”, kanë kërkuar nga qytetarët që në ditët e ftohta që pritet të kthehen nga mesi i kësaj jave të kursejnë energjinë elektrike, në mënyrë që të vazhdohet furnizimi pa ndërprerje. “Për momentin KEK-u ka futur në punë të gjitha kapacitet, duke përfshirë edhe dy blloqet e termocentralit ‘Kosova A’, të cilat së bashku prodhojnë rreth 250 megavat energji elektrike në orë. Nga këto kapacitete ne do të varemi edhe në ditët e ftohta që janë paralajmëruar, andaj qytetarët duhet të kursejnë energjinë me çdo kusht”, ka thënë Sinani.

Aktualisht furnizimi me rrymë po bëhet sipas planit ABC.

Marrur nga Koha Ditore