PTK mbyll gjysmën e vitit me 24 milionë euro fitim

Posta dhe Telekomunikacioni i Kosovës ka rritur performancën financiare në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, krahasuar më të njëjtën periudhë të një viti më parë, bën të ditur kjo kompani përmes një njoftimi për media. Në saje të afarizmit të suksesshëm në tërë sistemin e saj operativ, PTK ka rritur neto fitimin për 10 % krahasuar me vitin e kaluar ose 4 % mbi biznesplanin e vitit 2012. Fitimi i pastër i PTK-së për këtë gjashtë mujor është 24 milionë euro.

Duke u bazuar në të dhënat aktuale financiare dhe ritmin konstant pozitiv të këtij afarizmi, viti 2012 mund të përmbyllet më fitime shumë më të mëdha sesa viti që lamë pas.

Bëhet e ditur se vetëm gjatë dy javëve të fundit janë shitur rreth 40 mijë numra të rinj, që tregon se numri i përgjithshëm i konsumatorëve të regjistruar nga VALA-a ka arritur saktësisht në 1.320.501 milionë konsumatorë.

PTK duke e përmbushur parashikimin e objektivave financiar, në një anë, por edhe duke lansuar produkte shumë atraktive dhe të pranueshme për konsumatorët, nga ana tjetër – dëshmon se në rritjen e fitimit në masë të madhe ka ndikuar, sidomos, shtimi i numrit të konsumatorëve, shfrytëzimi më i madh i roamingut, zvogëlimi i kostos së thirrjeve ndërkombëtare dhe masat e ndërmarra nga menaxhmenti ekzekutiv për zvogëlimin e shpenzimeve.

/Koha /