PRISHTINË, 22 NËNTOR – Kreu i Bordit udhëheqës i Postë – Telekomit të Kosovës, Ilir Salihu, ka thënë se ditën e parë të muajit të ardhshëm, dhjetor, do të shpallet konkursi për drejtorin e ri të PTK-së. Salihu tha se drejtori do të jetë kosovar dhe ky institucion nuk do të kthehet nën menaxhimin e ndërkombëtarëve.
Salihu në konferencën me gazetarë të Shtyllës IV të UNMIK-ut, ka theksuar se mandati i drejtorit aktual në dorëheqje, Etrur Rrustemaj, do të përfundojë në fund të vitit dhe posti i tij duhet të zëvendësohet me një drejtor të ri. Ai ka insistuar se në krye të PTKsë nuk do të vijë ndonjë ndërkombëtar dhe assesi agjenci konsulente që “do të paguhej me një shumë të madhe të parave”. Ai tha se kjo as që është përmendur në bord.
“Bordi i PTK-së ka vendosur që me një dhjetor ta shpallë konkursin për drejtor të ri pasi që drejtorit aktual në dorëheqje i përfundon mandati në fund të këtij viti. Jemi befasuar kur kemi dëgjuar në mjetet e informimit se do të vijë një ndërkombëtar në krye të PTK-së, kur as që ka qenë bisedë e bordit një gjë e tillë”, ka pohuar Salihu.
Në kuadër të kosovarizimit të kësaj kompanie, sipas tij, krahas shpalljes së pozitës për drejtor të përgjithshëm, do të shpallet konkursi edhe për pozitën e drejtorit të operimeve në PTK, me qëllim që të funksionalizohet sa më shumë menaxhimi në kompani. Deri tash me këtë pozitë ka udhëhequr një ndërkombëtar, ndërsa tash Salihu ka thënë se po bëhen përpjekje që edhe për këtë pozitë të zgjidhet një drejtor vendor. Ai gjithashtu ka mohuar mundësinë e angazhimit të një kompanie konsulente për zgjedhjen e drejtorit, por për këtë ka thënë se sikur edhe para dy vjetësh, edhe kësaj radhe do të angazhojë një specialist të burimeve njerëzore, i cili do të jetë pjesë e panelit përzgjedhës dhe do ta këshillojë Bordin e drejtorëve për të zhvilluar një proces meritor dhe kompetent. Sa u përket kritereve të vlerësimit, nuk është bërë e ditur se cilat do të jenë ato, mirëpo, mësohet se nuk do të ketë ndryshime të mëdha në krahasim me vlerësimin e para dy vitesh për drejtor të PTK-së.
Në anën tjetër edhe drejtori menaxhues i AKM-së, Jasper Dick, ka mohuar që drejtori i ardhshëm i PTK-së të vijë nga radhët e ndërkombëtarëve. “Njerëzit thonë se menaxheri i PTK-së do të jetë ndërkombëtar, kjo nuk është e vërtetë, ngase ai do të jetë kosovar”, ka konfirmuar Dick.
Lidhur me arsyet e dorëheqjes së drejtorit të PTK-së, Etrur Rrustemaj, dhe mundësinë që ai të konkurrojë përsëri për këtë pozitë, ashtu sikur edhe Salihu, edhe drejtori i AKM-së ka thënë se është çështje personale e Rrustemajt, mirëpo një gjë e tillë nuk shpresojnë se do të ndodhë. Ata nuk kanë dhënë detaje rreth dorëheqjes që drejtori i ka paraqitur Bordit të PTK-së, e cila ka mbetur ende e paqartë për opinionin, përpos se ka qenë një letër nga e cila ka kërkuar dorëheqjen për arsyet e tij personale.
ECIKS / Koha Ditore