PTK investon 100 milion € në 'Vala 900'

Prishtinë, 6 korrik 2004 – PTK do të investojë edhe 100 milionë euro shtesë për përmirësimin e rrjetit të telefonisë mobile, të Valës 900. Kështu bënë të ditur sot zyrtarët më të lartë të PTK-së në një konferecë për media në Prishtinë. Me këtë investim, PTK-ja synon të ngrisë numrin e konsumatorëve dhe të mbulojë 99 për qind të territorit të banuar të Kosovës.

Vala 900 ka marrë pëlqimin nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit që prej dje të bëjë shpalljen e tenderit për fazën e katërt të investimeve në rrjet, që është parashikuar të jetë edhe për 100 milionë Euro shtesë. Kjo shumë e mjeteve hyn në kuadër të strategjisë zhvillimore të Valës 900, e cila deri tash ka identifikuar disa projekte që për implementimin e tyre duhet të bëhen investime në vlerë rreth 220 milionë euro. Kështu bëri të ditur sot drejtori i përgjithshëm i Postë Telekomunikacionittë Kosovës, Gavin Jeffery, në një konferecë për media. Ai tha se investimi i ri në rrjetin e Vales 900 është bërë më qëllim të përmirësimit të shërbimeve dhe shtimit të numrit të konsumatorëve: “Njoftimi i ditës së sotme përfshin tenderin me vlerë më të madhe që PTK-ja e ka shpallur ndonjëherë dhe demonstron përkushtimin e PTK-së për t’ju mundësuar njësive operacionale të saj shërbimin e sa më shumë konsumatorëve si dhe t’i shërbejë ata sa më mirë”. Ndërkaq, menaxheri i Vales 900, Afrim Bejtullahu, nuk u përgjigj pothuajse në asnjë pyetje të gazetarëve në mënyrë të saktë. Duke evituar të japë përgjigje në pyetje të shumta ai vetëm konfirmoi edhe njëherë se AKM-ja e ka aprovuar shpalljen e tenderit për fazën e katërt të strategjisë së Valës 900, në shumë prej 100 milionë eurosh. Në këtë fazë të strategjisë së zhvillimit, Vala 900 planifikon të rrisë numrin e konsumatorëve në 700 mijë, nga mbi 300 mijë sa i ka tani, dhe të mbulojë me rrjet 99 për qind të territorit të banuar të Kosovës, nga 85 për qind sa e mbulon tani.

ECIKS / RTKLive