Privatizimi vazhdon në Kosovë, tani edhe më transparent

Në valën e 50-të të privatizimit, Ndërmarrja e Re – Ratar në Ajvali është shitur për 7 milionë e 777 mijë euro. Për këtë ndërmarrje ka pasur 12 oferta dhe oferta më e lirë për të ka qenë 922 mijë euro, që ishte dukshëm më e lirë se çmimi më i lartë. Për pronën tjetër shoqërore Banja e Pejës janë ofruar 4 milionë euro. Gjithsej janë pranuar 42 oferta, dhe vlera e tërësishme e ofertave të larta ishte 14 milionë e 373 mijë euro.

Një zyrtare nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka thënë se deri më tani janë privatizuar mbi 290 ndërmarrje shoqërore, me të hyra mbi 520 milionë euro në Fondet e Mirëbesimit. “Me kënaqësi njoftoj se bashkë me palët e tjera kemi finalizuar procesin e filluar më herët për ndryshime në legjislacionin aktual dhe unifikimin e bazës ligjore dhe përshtatjen me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, si ndryshime thelbësore në Ligjin e AKP-së, pastaj nxjerrjen e Ligjit për Dhomën e Veçantë dhe aprovimin e Ligjit që e rregullon çështjen e riorganizimit dhe ristrukturimit të ndërmarrjeve, siç është “Trepça”. Shpresojmë që këto ligje do të miratohen gjatë sesionit veror të Kuvendit të Kosovës”, tha ajo.

Gjatë kësaj ceremonie të hapjes së ofertave të privatizimit, AKP-ja lansoi edhe projektin për transmetimin e drejtpërdrejtë të ceremonisë së hapjes së ofertave, me çka u mundësua që ceremonia e Valës 50 të përcillet nga publiku i gjerë, brenda dhe jashtë Kosovës, duke synuar që të ardhmen të gjitha ceremonitë e valëve të privatizimit dhe ceremonitë e shitjeve përmes metodës së likuidimit të transmetohen drejtpërdrejt tek publiku i gjerë.

ECIKS / Koha