Privatizimi i PTK-së, “kurriz” për zhvillimin ekonomik të Kosovës

Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Christipher Dell ka vlerësuar të mërkurën se privatizimi i PTK-së është një “kurriz” për zhvillimin ekonomik të Kosovës.
“Ardhmëria e PTK-së mund të jetë kurriz i rëndësishëm për nxjerrjen e potencialeve të popullatës së re. Andaj ky transaksion është një mundësi për Kosovën që ta kryejë këtë dhe të krijojë një kurriz për zhvillimin e ardhshëm ekonomik dhe krijimin e një ekonomie të bazuar në teknologji informative”, ka thënë Dell.

Ndërkaq, kryeministri Hashim Thaçi – në takimin e parë ndërmjet Komisionit ndërministror dhe Konsorciumit fitues për këshilltar të transaksionit në lidhje me Projektin Participimi i sektorit privat në Postën dhe Telekomin e Kosovës – ka thënë se, principi i politikave të Qeverisë, është për treg të hapur drejt një konkurrence të drejtë në treg, ndërsa vendimet për pjesëmarrjen e kapitalit privat në PTK do të merret nga Kuvendi i Kosovës.

“Ky projekt është pjesë e politikave për reformën e telekomunikacionit që Qeveria e Kosovës është e përkushtuar ta bëjë. Principi i politikave të qeverisë, është për treg të hapur drejt një konkurrence të drejtë në treg. Kosova ka kushte si shtet dhe një ambient shumë të favorshëm për treg për përfshirjen e kapitalit privat në PTK duke përfshirë tregun liberal të telekomunikimeve. Si qeveri jemi duke ndjekur standardet më të larta të transparencës për qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Ndërkaq, ambasadori austriak në Prishtinë Valter-Maria Stojan ka thënë se ndihet krenar që dy kompani austriake kanë shprehur interesim për këtë tender dhe firma ligjore që operojnë nëpër tërë Evropën Juglindore. Ai shfaqi shpresën se Qeveria e Kosovës do të ndihmojë partnerët që t’i plotësojnë obligimet e veta në një periudhë të shkurtë kohore dhe që privatizimi i PTK-së të jetë një hap tjetër i Kosovës drejt integrimeve evropiane.

Qeveria e Kosovës ka themeluar Komisionin ndërministror në tetor të vitit 2008, në bazë të ligjit të ndërmarrjeve publike, me qëllim të menaxhimit dhe implementimit të suksesshëm të Projektit Participimi i sektorit privat në PTK.

Në këtë takim, i cili është mbajtur të mërkurën me dyer të mbyllura ku mediat ishin të pranishme vetëm në fillim të takimit, kanë qenë prezent kryeministri Hashim Thaçi, ministrat e kabinetit të tij dhe ambasadorë të akredituar në Kosovë.

RTV21 / Telegrafi