Priten ndryshime në kodin e akcizës

Deri tani miliona euro nuk kanë shkuar në buxhetin e Kosovës, për shkak se kodi i akcizës nuk është zbatuar që në datën e përcaktuar. Kodi i ri pritet ta ndryshojë këtë gjendje të krijuar në mallrat që paguajnë akcizë

Prishtinë, 6 maj 2005 – Kodi i ri për akcizat, i cili duhej të hynte në fuqi që prej 1 majit është shtyrë për pak kohë dhe është dërguar në Nju Jork, për shkak të disa ndryshimeve të reja që pritet të ndodhin.

Kodi i ri për akcizën, pritet të sjellë ndryshime thelbësore që do të rrisin të ardhurat në buxhetin e Kosovës. Kështu importuesit e cigareve nuk do të mund më të porosisin qindra tonë cigare me akcizë të vjetër, ndërkohë që në fuqi është tarifa e re e akcizës. Edhe për këto kohë që ata kanë operuar në këtë mënyrë do të detyrohen të paguajnë diferencën.

“Kodi i ri i akcizave do të detyrojë importuesit që para se të blejnë mallin të blejnë pullën fiskale që tregon se akciza është paguar paraprakisht. Nëse një importues blen banderola për qindra tonë me 17 euro dhe pas disa kohësh akciza rritet në 25 euro, ai do të duhet të paguaj diferencën”, tha Bujar Shatri, zëvendësdrejtor i përgjithshëm në Shërbimin Doganor të UNMIK-ut.

Që nga viti 2003, akciza në cigare është rritur disa herë. Nga 4 euro për kilogram ka shkuar në 10 euro, duke u pasur nga rritja e fundit që e ka çuar në 17 euro akcizën për një kilogram cigare.

Por Kodi i ri për akcizën nuk përfshin vetëm cigaret por edhe produktet e tjera që konsiderohen mallra të luksit dhe detyrohen të paguajë akcizë si kafeja, alkooli, telefonat, automjetet etj.

“Nuk është rregullore për akcizën, por është një kod i cili nuk përfshin vetëm cigaret, por të gjitha mallrat që paguajnë akcizë. Kodi do të rregullojë edhe pagesën e akcizës për mallrat që prodhohen në vend. Është një kod që do të përfshijë të gjitha rregulloret për akcizën”, përfundoi zëvendësdrejtori Shatri, duke shtuar se ky kod i ri ishte parashikuar të hynte në fuqi më një maj, por për shkak të disa përmirësimeve është dërguar në Nju Jork.

ECIKS / Biznesi